Prokurori që po drejton hetimet ndaj Hunter Bidenit po dëshmon këtë të martë para Kongresit, duke shënuar kështu herën e parë që një prokuror i posaçëm del para ligjvënësve, në mesin e një procesi hetimor.
Kjo ndodh në një kohë që pas javësh të tëra ngërçi, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve po synojnë të shpejtojnë hetimet ndaj Presidentit Joe Biden dhe familjes së tij, hetime që synojnë nisjen e procedurave për shkarkimin nga detyra të presidentit.
David Weiss po jep dëshmi, para anëtarëve të Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa përballet me akuzat e republikanëve se nuk pati autoritet të plotë në hetimet disa vjeçare në çështjen në ngarkim të djalit të presidentit.
Mbledhja e Komisionit të Drejtësisë, ku po dëshmon zoti Weiss po zhvillohet me dyer të mbyllura.
Vendimi i rrallë i Departamentit të Drejtësisë për të lejuar një prokuror të posaçëm dhe prokurorë të tjerë që të përballen me pyetje përpara mbylljes së hetimeve, është një tregues se sa me seriozitet po i trajton Departamenti i Drejtësisë akuzat për ndërhyrje.
“Zoti Weiss është i përgatitur për këtë rast të pashembullt të dhënies së dëshmisë përpara mbylljes së hetimeve, për ta bërë të qartë se ai ka patur dhe vazhdon të ketë autoritet të plotë në hetimet e tij”, tha zëdhënësi i zotit Weiss, Wyn Hornbuckle, të hënën, përmes një deklarate.
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve akuzojnë Departamentin e Drejtësisë për ndërhyrje të paligjshme në hetimet ndaj zotit Hunter Biden, problemet ligjore të të cilit, janë në epiqendër të hetimeve të tyre, hetime që synojnë nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit.
Dëshmia e sotme pritet ketë në qendër dëshminë e një punonjësi të agjencisë përgjegjëse për mbledhjen e taksave federale të SHBA-ve (IRS), i cili ka ngritur pretendimet se hetimet e drejtuara nga zoti Weiss ndaj djalit të presidentit kanë qenë të ngadalta. Ai ka ngritur pretendimet për keqmenaxhim të hetimeve.
Zoti Weiss ka hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se ishte ai që “vuloste” për hetimet.
Dy prokurorë të tjerë nga Uashingtoni dhe Kalifornia dëshmuan në javët e fundit se ata nuk e bllokuan zotin Weiss të ngrinte akuza në shtetet e tyre, edhe pse mohuan të kishin bashkëpunuar për këtë me prokurorin Weiss.
Por sinjalizuesi i agjencisë së taksave (IRS), i cili dëshmoi publikisht gjatë verës, këmbëngul se dëshmia e tij pasqyron një model ndërhyrjeje dhe trajtimi preferencial në çështjen ndaj Hunter Bidenit dhe jo vetëm mosmarrëveshje me eprorët lidhur me hapat që duhet të ndërmerreshin në kuadër të hetimeve.
Pikëpyetjet lidhur me marrëveshjet e biznesit të Hunter Bidenit kanë qenë në epiqendër të hetimeve të republikanëve që synojnë nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit.
Por nëse do jetë në gjendje të japë informacion, apo se çfarë informacioni do jetë në gjendje t’i japë zoti Weiss Kongresit, mbetet e paqartë, pasi bazuar në rregullat e Departamentit të Drejtësisë dhe ligjit, ai nuk do jetë në gjendje të flasë mbi hollësi që lidhen me hetimet qe po kryen.
Në përgjithësi, proceset hetimore në vazhdim, mbahen të fshehta, me qëllim mbrojtjen e provave, parandalimin e ekspozimit të dëshmitarëve dhe për të shmangur që avokatët mbrojtës të kundërshtojnë rezultatet e hetimeve.
Në çështjen në ngarkim të Hunter Biden-it, avokatët mbrojtës kanë sinjalizuar se kanë në plan të kundërshtojnë akuzat për armëmbajtje pa leje dhe kanë lënë të kuptohet se prokurorët kanë rënë pre e presionit politik për ngritjen e këtyre akuzave./VOA
Top Channel