Benjamin Netanyahu bëri një hap prapa.
Kryeministri izraelit njoftoi se do të shqyrtonte mundësinë për “pauza të shkurtra taktike” në mënyrë që të lehtësohet hyrja e ndihmave humanitare ose të lejohet dalja e pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit. Lideri izraelit përsëriti megjithatë refuzimin e vendit të tij për një armëpushim të plotë nëse nuk lirohen të gjithë personat që mbahen peng nga Hamasi.
Netanyahu i bëri komentet në një intervistë për televizionin amerikan ABC gjatë së cilës u pyet se kush duhet ta qeverisë Gazën pas përfundimit të luftimeve. “Unë mendoj se Izraeli do të ketë për një periudhë të pacaktuar përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme, sepse e kemi parë se çfarë ndodh kur nuk e kemi ne atë përgjegjësi,” pohoi ai.
Deklarata vjen në kohën kur sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës, bombardimet izraelite atje kanë marrë të paktën 10 mijë jetë njerëzish. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, deklaroi se mbrojtja e civilëve “duhet të jetë parësore” në konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, duke paralajmëruar se Rripi i Gazës po shndërrohet “varrezë për fëmijët”.
“Ne duhet të veprojmë tani që të gjejmë një rrugëdalje nga ky shkatërrim brutal, i tmerrshëm dhe agonizues. Nevojitet menjëherë një armëpushim humanitar në këtë territor. Gaza po shndërrohet në varrezë për të miturit. Qindra vajza dhe djem raportohet se vriten apo plagosen çdo ditë”, tha Guterres.
Izraeli është zotuar se do të zhdukë Hamasi, që udhëheq me Rripin e Gazës, pasi militantët vranë 1.400 persona dhe morën 240 pengje gjatë sulmit të 7 tetorit. Forcat e tij e kanë shënjestruar enklavën nga ajri, e kanë rrethuar e kanë nisur edhe një sulm tokësor.
Top Channel