Kampet në Gjadër në zonë ushtarake! Top Channel sjell pamjet me dron: Refugjatët do sistemohen në ish-Fushën e Aviacionit

07/11/2023 13:34

Pas mbërritjes dhe procedurave të para në Portin e Shëngjinit, refugjatët që Italia do të strehojë në vendin tonë do të vendosen në kampet që do të ngrihen në zonën ushtarake të ish- Fushës së Aviacionit në Gjadër.

Gjatë ditës së sotme, gazetarja e Top Channel Brixhilda Deda ka bërë një vëzhgim në zonë, ku përmes dronit është parë se në brendësi të kampit nuk ka nisur puna për restaurimin e godinave të vjetra ushtarake.

Jemi munduar të afrohemi edhe pranë zonës, por puna vijon normalisht nga forcat ushtarake të vendosura në këtë zonë. Nuk kemi mundur të marrim asnjë informacion zyrtar, por nga ajo çfarë shihet në terren ende nuk ka diçka konkrete në fushën ku do të strehohen refugjatët e ardhur nga brigjet afrikane. Unë jam munduar të marrë edhe reagime nga institucionet në Lezhë, por edhe nuk ka një informacion zyrtar”- raportoi për studion e lajmeve gazetarja Deda.

Nga burimet bëhet me dije se janë pikërisht këto godina ushtarake që, pasi marrëveshja të bëhet e ditur, do të restaurohen dhe do të jepen në përdorim për refugjatët afrikan.

Top Channel ka siguruar edhe pamjet ku ndodhen godinat në të cilat do të strehohen refugjatët afrikan pasi të vijnë nga Porti i Shëngjinit. Ky port më së shumti shërben si port peshkimi, por nga pranvera e 2024 do të presë dhjetëra mijë refugjatë nga vendet afrikane.

Ka pasur polemika të shumta në rrjet, sidomos nga deputetët e opozitës që përfaqësojnë qarkun e Lezhës, të cilët kanë qenë të gjithë kundër kësaj marrëveshje të firmosur nga kryeministri Edi Rama me homologen italiane Giorgia Meloni ditën e djeshme.

Ndërkaq, nga kontakti i parë i gazetares Deda me banorët e Gjadrit, nuk ka pasur ndonjë kundërshti nga ana e tyre duke u shprehur të gjithë dakord me ardhjen e refugjatëve.

Ne jemi dakord sepse përgjatë viteve, vendet e Evropës pranuan shqiptarët që emigruan jashtë, kështu që edhe ne jemi gati ti mirëpresim dhe do t’i ndihmojmë ata të cilët kanë nevojë për ne në ditën e sotme”- kanë thënë ata.

Megjithatë ka pasur edhe disa banorë që janë shprehur kundër ardhjes dhe më pas qëndrimit të refugjatëve në zonën e Gjadrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA