Tre persona janë arrestuar pas një përleshjeje në stacionin e metrosë në Teheran që ndodhi për shkak të ligjit për veshjen e obligueshme të hixhabit në Iran. Kjo ngjarje është një sinjal për mospajtimet e thella në mesin e iranianëve lidhur me këtë rregull.
Policia në stacionin e metrosë raportoi se incidenti ka ndodhur më 5 nëntor kur një grua, e ngarkuar për të këshilluar qytetarët për rregullat e hixhabit, dyshohet se u sulmua pasi bisedoi me një pasagjer lidhur me vendosjen e shamisë së kokës.
Shefi i policisë, Abbas Karami Rad, konfirmoi se tre personat që dyshohet se janë përfshirë në incident janë arrestuar dhe janë transferuar në stacionin policor Shahre Rej, në veri të Teheranit.
Hixhabi është i detyrueshëm për gratë dhe vajzat mbi moshën 9-vjeçare që nga viti 1981, dy vjet pas Revolucionit Islamik në Iran. Ky vendim kishte nxitur protesta që menjëherë ishin shtypur nga autoritetet e reja. Shumë gra përgjatë viteve nuk kanë respektuar rregullin për hixhabin.
Mospajtimi me këtë rregull u shndërrua në një zemërim në mbarë vendin pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në Teheran vitin e kaluar, pasi ajo vdiq në paraburgim për shkak të shkeljes së rregullit për hixhabin.
Vdekja e saj nxiti protestat “Grua, jetë, liri” në mbarë vendin. Po ashtu, përveç protestave, ka pasur edhe fushata kundër ligjit, edhe pse shumica e iniciatorëve janë arrestuar apo janë detyruar të largohen nga shteti për shkak të sigurisë së tyre.
Zemërimi ndaj autoriteteve është i lartë pasi 17-vjeçarja Armita Garavand vdiq muajin e kaluar pasi u konfrontua nga “policia e moralit” në po të njëjtin sistem të metrosë në Teheran.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe gazetarët kanë thënë se Garavand dhe dy mikesha të saj u konfrontuan nga policia për shkak të mosveshjes së hixhabit teksa ato po tentonin të hynin në stacionin e metrosë në Teheran.
Një prej mikeshave të saj tha se zyrtarët e sulmuan fizikisht Garavandën, e cila më pas humbi vetëdijen dhe u nxor pa vetëdije nga metroja. Zyrtarët thanë se Garavanda pësoi rënie të papritur të presionit të gjakut, u alivanos dhe u rrëzua në tokë dhe goditi kokën.
Megjithatë, organet iraniane të zbatimit të ligjit, gjyqësori dhe mediat e lidhura me Qeverinë kanë shprehur mbështetje për “policinë e moralit” duke nënvizuar angazhimin e tyre për të ndëshkuar qytetarët që kundërshtojnë hixhabin.
Përderisa protestat kanë filluar të humbin momentumin, rezistenca ndaj hixhabit ka të ngjarë që do të rritet, kanë thënë analistët, pasi hixhabi shihet si simbol i represionit të shtetit ndaj grave dhe simbol i shtypjes vdekjeprurëse të shoqërisë.
Muajin e kaluar, Amini dhe lëvizja “Grua, jetë, liri”, u nderuan me çmimin Sakharov, që është çmimi më i lartë për të drejtat e njeriut që ndahet nga Parlamenti Evropian. Po ashtu, Çmimin Nobel për Paqe këtë vit e fituar aktivistja e burgosur, Narges Mohammadi, e cila për dekada të tëra lufton për të drejtat e grave./ REL
Top Channel