Tetor, 5 mijë vizitorë më shumë në Kalanë e Gjirokastrës se një vit më parë

06/11/2023 22:00

Muaji tetor shënoi rritje rekord vizitorësh në Kalanë e Gjirokastrës për periudhën 1 tetor -31 tetor 2023.

Vizitat turistike në Kalanë e Argjirosë, përgjatë muajit tetor kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tetori i këtij viti solli 18 683 vizitorë, ekzaktësisht 4617 persona më shumë se një vit më parë kur u regjistruan 14 066 turistë vendas e të huaj.

Kalaja e Gjirokastrës ndodhet në rrugën e Zejtarëve dhe shtrihet mbi një kodër me lartësi 335 metra. Kalaja quhet Argjiro, në nder të legjendës sipas të cilës princesha Argjiro u hodh nga lartësitë e kështjellës për të mos rënë në duart e pushtuesit.

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Megjithatë, historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme.

Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Top Channel