BE, para një krize të re borxhesh? Mblidhen me urgjencë ministrat e financave

06/11/2023 14:27

Borxhet publike të vendeve anëtare të BE kanë mbërritur nivele shqetësuese, duke detyruar ministrat e financave që mblidhen sot, të kërkojnë recetën sesi mund të ruhet stabiliteti financiar.

Zhytja në borxhe e shteteve të eurozonës në vitin 2022, sipas autoritetit të statistikave, Eurostat kapte kuotën 91,4 % të vëllimit ekonomik. Kjo, në një kohë kur në 2012-shin, regjistrohej rënie me 4%. Kjo është shifër e mirë, por sipas analizës së Bankës Qendrore Europiane lidhet me një efekt unik të qetësimit të gjendjes së ekonomisë pas pandemisë së koronavirusit.

BQE pret këtë vit një nivel borxhesh prej 89%. Vitin e ardhshëm pritet një rënie në 88,6%. Pavarësisht kësaj, fakti mbetet që niveli i borxheve është shumë më i lartë se kufiri maksimal i 60% i vëllimit të produktit të brendshëm bruto. Prej katër vitesh që nga koha e koronavirusit, për shkak të çmimeve të larta energjetike si pasojë e sulmit rus në Ukrainë, është pezulluar pakti i vjetër i stabilitetit me rregullat strikte.

Komisioni Europian nuk ka hapur ndonjë procedurë për borxhet e larta ndaj ndonjë vendi. 22 vende të bllokut sakaq e kalojnë kufirin 60%. Vendi me më shumë borxhe vazhdon të jetë Greqia me 171% të produktit të brendshëm bruto, e pasuar nga Italia me 144%. Ekspertët druhen se pa masa rrënjësore nga vendet e zhytura në hua, do të rrezikohen dhe të tjerët dhe thonë se tregjet financiare nuk do ta pranojnë dhe aq lehtë faktin që borxhet janë vazhdimisht mbi 100%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA