Kallëzimet e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për incidentin mes deputetëve Vullnet Sinaj dhe Bledjon Nallbati në Kuvend, janë bashkuar në një të vetme nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion.
Burime për gazetaren Anila Hoxha bëjnë me dije se dy deputetët, Sinaj dhe Nallbati, do të thirren nga SPAK-u në orët në vijim.
Atyre do t’u kërkohet të kryejnë ekspertim mjeko – ligjor, për të provuar nëse kanë probleme shëndetësore që mund të kategorizohen për t’u hetuar.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kallëzoi penalisht deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sinaj.
Duke përmendur goditjen e Sinajt, në kallëzimin që mban firmën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, pretendohet se Nallbati ka konsumuar veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
I denoncuar për akuzën “goditje për shkak të detyrës” të deputetit socialist Vullnet Sinaj, Nallbati po përdor si mburojë një kallëzim tjetër, firmosur prej Gazment Bardhit, ku kërkohen hetime për të njëjtën vepër por me të denoncuar deputetin socialist.
Veprimet hetimore do të vërtetojnë se cili deputet goditi dhe kush u godit dhe nëse mund të konsiderohet apo jo sulmi goditje për shkak të detyrës si parlamentar.
Incidenti ndodhi të hënën, pasi deputetët e opozitës penguan vijimin e rendit të ditës në Kuvend dhe krijuan tensione.
Top Channel