Prokurori i Përgjithshëm i SHBA: Kërcënimet kundër hebrenjve, myslimanëve dhe arabo-amerikanëve janë rritur ndjeshëm

01/11/2023 18:48

Ka pasur një “rritje të konsiderueshme” të kërcënimeve kundër hebrenjve, myslimanëve dhe arabo-amerikanëve javët e fundit, tha prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, duke përsëritur angazhimin e Departamentit të Drejtësisë për të ndjekur penalisht autorët.

Deklaratat, Merrick Garland i bëri në një forum për krimet e urrejtjes të mërkurën. Sipas Garland, gjatë informacioneve të siguruara për shkak të detyrës në përditshmërinë e tij, ka vënë re një rritje në “vëllimin dhe shpeshtësinë” e kërcënimeve kundër këtyre grupeve.

Prokurori i Përgjithshëm përmendi arrestimin e studentit të Universitetit Cornell, Patrick Dai, një 21-vjeçar i ri, për kërcënimet që ai dyshohet se postoi në një forum diskutimi në internet këtë fundjavë kundër studentëve hebrenj të universitetit.

Në foto: Patrick Dai

Garland tha se Dai u arrestua dhe u akuzua për kërcënim për të vrarë ose plagosur hebrenj në Universitetin Cornell.

“Siç tregon ky arrestim, ne po i përqendrojmë përpjekjet tona në përballjen dhe ndërprerjen e kërcënimeve të paligjshme kudo që ato shfaqen. Departamenti i Drejtësisë nuk ka tolerancë ndaj dhunës, apo kërcënimeve të paligjshme të dhunës të nxitura nga antisemitizmi apo islamofobia”- tha Garland, duke shtuar se Dai është planifikuar të paraqitet në gjykatën federale të mërkurën pasdite me orën lokale.

“Unë e njoh frikën, zhgënjimin dhe izolimin që shumë prej jush kanë ndier gjatë javëve të fundit dhe që vazhdoni të ndjeni ndërsa ne ndodhemi së bashku këtu sot. Unë dua të përsëris një parim thelbësor të këtij Departamenti të Drejtësisë: Asnjë person dhe asnjë komunitet në këtë vend nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës së nxitur nga urrejtja,” tha Garland.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA