Bllokohet edhe komisioni i Ekonomisë, zhvillohet online, opozita: Po bëhet shkelja e radhës

01/11/2023 16:18

Pas Konferencës së Kryetarëve, opozita bllokoi edhe komisionin e Ekonomisë këtë të mërkurë.

Opozita shprehet se ndaj tyre po bëhet shkelja e radhës, me zhvendosjen e mbledhjes së komisionit të Ekonomisë online.

Në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, ata nënvizojnë nenin a/5 të Rregullores së Kuvendit që përcakton se vetëm në raste të masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore, mbledhjet e seancës plenare dhe organeve të Kuvendit mund të zhvillohen edhe në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.

Ish-kryeministri, Sali Berisha nga Kryesia e Kuvendit tha se Edi Rama e ktheu sot parlamentin në një bunker, si në kohën e Enver Hoxhës dhe Spirokolekës.

Berisha: Sot është një nga ditët më të shëmtuara në historinë e parlamentarizimit. Sot ndërtesa e parlamentit u shndërrua në një repart policor Garde, pëllëmbë e gardistë, natyrisht të urdhëruar, se ata nuk kanë një dëshirë, por kurrë ndonjëherë kjo ndërtesë, përveç kohës së Enver Hoxhës, nuk ka qenë e pushtuar nga çizmet e policisë dhe gardës. Një akt i turpshëm, një akt i shëmtuar. Deputetët e opozitës, kryetarja e ashtuquajtur krijoi një përpjekje e cila do të hetohet në mënyrën më të hollësishme, sepse mbylli derën në një kohë kur 5-6 prej tyre ishin në ashensor dhe në ashensor në kat të 4, që në çdo lloj avarie mund të përfundonin në kat të parë, me urdhër të saj.  Ky është turp i madh. Ky tregon se parlamenti ka humbur çdo të drejtë funksionuari në këtë mënyrë. Tregon se Edi Rama e ka shndërruar në një bunker, njëlloj sikur në këtë ndërtesë qeverisnin etërit e tij barbarë, Enver Hoxha dhe Spirokoleka.

 Nga ana tjetër, shënohet një tjetër rekord i zi në historinë e parlamentit, një dhunim flagrant i kushtetutës me buxhetin.A mund të imagjinojnë shqiptarët se kanë kaluar në klandestinitet për miratimin e buxhetit. Në vend të një seance të hapur në vend të një konsulte të gjerë me grupet e interesit për të gjithë zërat e buxhetit, ata e mbyllën debatin dhe kaluan në një klub që si quhet, shkuan në një klub dhe aty po miratojnë buxhetin në mënyrën më të papërgjegjshme dhe qesharake. Prapë në kundërshtim me kushtetutën kanë vendosur që pa punonjësit e Ministrisë së Financave të punojnë online, punë e cila online do të thotë në dy raste, luftë ose epidemi. Asnjë nga rastet nuk plotësohet, por këta nuk kanë as ligj e as moral, nuk njohin asgjë.  Pra, shënon kjo ditë rekordet më të zeza në historinë e parlamentarizmi. Opozita është në këmbë, opozita është në këmbë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel