Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dushan Maksimoviç, Vladimir Toliç dhe Blagoje Spasojeviç, tre serbët e arrestuar për sulmin terrorist në Banjskë.

Më 20 tetor të këtij viti Gjykata e Shkallës së Parë vendosi paraburgim për tre të akuzuarit.

Lidhur me këtë vendim mbrojtja e të dyshuarve parashtroi ankesë në shkallë të dytë, por që Apeli një ditë më parë i refuzoi.

Sipas arsyetimit të gjykatës së Apelit, gjykata e Shkallës së Parë e ka arsyetuar se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Ata u arrestuan si të dyshuar për sulmin terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër.

Ata dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe për vepra terroriste.

Top Channel