Takimet në Bruksel, Rama-Serbisë: Mjaft me fantazmat e së shkuarës! Bëj paqe, për hir të Zotit

27/10/2023 12:42

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë në dialogun me Kosovën, ndërsa bisedimet në Bruksel vijojnë ende.

Ky reagim vjen një ditë pasi Kosova pranoi Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023, gjatë takimit me liderët evropianë.

Ai e konsideron këtë një hap shumë të rëndësishëm në dialogun mes dy vende, ndërsa thekson se tashmë është koha që Serbia të bëjë të njëjtën gjë.

Urtësia e popullit shqiptar dhe jo vetëm e tij në fakt, mëson se “më mirë vonë se sa kurrë”. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë time që udhëheqja e Kosovës më në fund bëri gjënë e duhur në takimin e djeshëm të Brukselit! Duke pranuar me mençuri propozimin e BE-së më 21 tetor Kosova sot ndodhet në një pozitë shumë më të mirë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara. Është koha që Serbia të bëjë të njëjtën gjë. Çdo gjë e pranuar dhe dakordësuar deri tani duhet të zbatohet pa vonese. U bëj thirrje partnerëve tanë perëndimorë që të mbajnë këtë momentum dhe të shtyjnë palët drejt zgjidhjes përfundimtare.

Mjaft më duke parë gishtin teksa gishti tregon hënën. Mjaft më me të njëjtat muhabete të vjetra dhe të rrezikshme. Mjaft më me shmangien e paqes dhe ushqimin e fantazma të së kaluarës për hir të vogëlsisë së politikës së brendshme. Shikoni jo shumë larg nga këtu se çfarë u ndodh atyre që i shmangen paqes dhe angazhohen në lojëra “o të gjitha o asgjë”. Ne kemi nevojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në këtë lagje të Europës. Bëni paqe për hir të Zotit dhe shikoni përpara”, shkruan Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve. Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët. Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti serb Vuçiç këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.

Sipas tij, kjo “mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë për të përparuar në rrugën evropiane”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA