Zbulimet e fundit arkeologjike mund të provojnë se të jetuarit në periferitë e qyteteve të mëdha nuk është vetëm një risi e kohëve moderne në Shqipëri.
Një zbulim i bërë së fundmi në Durrës dëshmon se dhe në vitet 500 të erës sonë banorët shfrytëzonin zonat periferike për të jetuar larg qendrave ku zhurmonte jeta e përditshme. Gjatë gërmimeve në oborrin e pallatit të sportit “Ramazan Njala” u zbulua dyshemeja e atriumit të një objekti luksoz që i përket shek. VI dhe dëshmon një veçori që nuk haset në pjesën tjetër urbane të asaj periudhe.
“Muret që kemi gjetur deri tani janë mure të lidhura me banesa që i paraprijnë shek.VI, të lidhura me shek. IV-V, por ajo që vejmë re është se këto mure janë grabitur masivisht. Janë rrafshuar duke u bërë të padukshme në fillim të shek. VI”, tha Brikena Shkodra, arkeologe.
Gërmimet, në këtë pjesë të qytetit, që përfshihet në zonën arkeologjike B, janë pjesë e ekspeditave të Institutit të Arkeologjisë për të zbuluar sistemin e Fortifikimit Antiko-Mesjetar të Durrësit, sistem i njohur pjesërisht nga arkeologët. Por puna në terren nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Është një nga situatat e pazakonta. Relievi është më i ulët se në të gjithë hapësirën tjetër urbane dhe ujërat nëntokësore dolën në 140 cm thellësi dhe na ka bashkëshoqëruar problematika e ujit duke zgjatur kohën e punës dhe vështirësinë për dokumentimin e të dhënave”, shtoi arkeologia.
Zbulimet e kohëve të fundit në Durrës hedhin dritë mbi zhvillimet urbane përgjatë historisë afro 3000 vjeçare të qytetit dhe pasurojnë më tej trashëgiminë tonë kulturore. Megjithatë një pjesë e mirë e historisë së qytetit antik ruhet nëntokë, ashtu si dhe këto zbulime të fundit.
“Detyrimisht duhen mbuluar se toka i ruan më mirë sesa kushtet e papërshtatshme”, thotë Brikena Shkodra.
Top Channel