Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se NATO “do të dalë me një raport përfundimtar” për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.

Ndërkohë, hetime për rastin sipas tij, po bëjnë edhe EULEX-i, SHBA-ja e Gjermania. “Verifikimet nuk kanë përfunduar ende, dhe çdo shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-ja po kryejnë hetimet e tyre. Që do të thotë se Republika e Kosovës do ta ketë një hetim përfundimtar, NATO-ja do të dalë me një raport përfundimtar, EULEX-i, misioni i Bashkimit Europian del me raportin e tij të pavarur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania me institucionet e tyre që i kanë në Kosovë, secili edhe në baza nacionale është duke zhvilluar hetimet e veta”, është shprehur kryeparlamentari.

Sulmi i Banjskës u përshkrua si një nga incidentet më të rënda ndër vite dhe ndodhi pas disa muajsh tensione të larta mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh atëherë se “krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”, duke akuzuar hapur Serbinë, që nuk pranon përfshirjen në këtë ngjarje. Një muaj pas, Kurti deklaroi  se sulmin, ku mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë, “e kreu Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA