Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat tha se ndryshimet e vitit 2006 në ligjin për pronat sollën risi të rëndësishme në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit, ndërsa kundërshtoi komentet negative për reformën e PD-së në këtë fushë.
Gjithashtu ai përsëriti për të tretën ditë se ligji ishte shtyrë prej tij një vit, ndërkohë që Fatos Nano e kishte shtyrë për dy vjet.
“Një sulm tjetër skandaloz politik bën Edi Rama dhe larot e tij skapistë për reformën e PD në fushuan e pronësisë dhe ndryshimet ligjore në këtë reformë. Kështu, ata rreken të mashtrojnë qytetarët se unë, afatin e paraqitjes së kërkesave të pronarëve, e kam bërë me ligj për të favorizuar Jamarbër Malltezin. Ndryshimet në ligjin 9533 të vitit 2004, të bëra në vitin 2006, nuk kishin për qëllim vetëm shtyrjen e afateve, por sollën shumë risi të reja dhe të rëndësishme në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave.
Në parim dominonte mbrojtja e interesave të shtetit, por pa cenuar, madje duke garantuar të drejtat e pronësisë private të objekteve të shpronësuara. Dhe, duke kufizuar trajtimin abuzive dhe përfitimeve të padrejta të kryera më parë bazuar në dokumentacionin ligjor të viteve të mëparshme.
Një nga problemet madhore ishin vendimet e faktit në gjykata. Me këto vendime, me një akt korruptiv mizerabël, tjetrit i merreshin dhjetëra hektarë sepse hajduti i tyre me dokumente të falsifikuara, i legjitimonte ato në gjykata. Ky amendim i dha fund kësaj dhe ky ishte një nga vendimet më të rëndësishme në çështjen e pronësisë. Ndaloi abuzimet. E vriste Pëllumb Gjoka 83-vjeçaren dhe i merrte 300 mijë metër katror. Një nga aktet që po u përmend këtu. Në ligj, u vendos që kërkesat e bazuara në vendime fakti nuk trajtoheshin më. Erdhi fundi i tyre. Në lidhje me shtyrjen e afatit, u bë për shkak të ndryshimit të dokumentacionit. Por duhet të jem i sinqertë, shtyrja e afatit është një detyrim i madh moral si ndaj pronarëve, ashtu edhe ndaj të përndjekurve politike. Sepse nuk mund t’i nxjerrësh nga prona pse ai nuk siguroi në kohë dokumentet. Për ata që mendojnë se e paskam shtyrë afatin për Begetë dhe Malltezin, u them se këtë afat e kam shtyrë edhe me datë 10.2.2008, dhe Fatos Nano para meje, këtë afat e shtyu dy vite. Përfundonte në vitin 2004, e shtyu deri në vitin 2006.
Ndryshoi plotësisht modeli i administratës që menaxhonte çështjen e kthimit të pronave, u kalua nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që ishte institucion plot Arapër brenda, e kam fjalën për Farudinin, dhe u bë një institucion i përgjegjshëm dhe realizoi dixhitalizimin e kadastrës në 6 qytete të mëdha, me një model që Banka Botërore e rekomandonte edhe për vende të tjera.
Ky vendim, i njohu drejtorit të AKP, por edhe Avokatit të Shtetit, që të rishqyrtonte drejtësinë e vendimeve të mëparshme. Gjykata Kushtetuese ia hoqi drejtorit të AKP, por nuk ia hoqi Avokatit të Shtetit. Vendimi gjithashtu disiplinoi mashtrimin me pronat, u rritën kufizimet për kthimin e pronësisë në krahasim me ligjin e mëparshëm. Pronarit tani i kthehej toka e blerë nga pronarët e tjerë dhe shteti i kthente lekët personave të tretë. Kjo mori fund. Pra, në të gjitha rastet, ky ligj ka shënuar një seri risish në reformën e pronësisë. Nuk ka ndryshime në të drejtën e parablerjes, ekzistonte në dy ligje”, tha Berisha.
Ai ritheksoi se çdo pushtet përcaktohet dhe kontrollohet nga Edi Rama përmes anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme, pas akuzave ndaj tij për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
“Dacibao politike ndaj vendimeve kolegjiale dhe ligjeve të parlamentit, në zbatim të programit të qeverisë së PD në mandatin e saj të viteve 2005-2009, për reformat në fushën e pronësisë, ekonomisë, forcave të armatosura, sportit, etj, paraqet fytyrën e vërtetë dhe kriminale të Edi Ramës dhe laro skapistëve të tij. Përbën përpjekjen më monstruoze të vendosjes së kontrollit politik policesk mbi veprimtarinë e qeverisë dhe parlamentit nga një grup prokurorësh të lidhur si mishi me thoin me pushtetin kriminal të Edi Ramës. Dëshmon se çdo pushtet përcaktohet dhe kontrollohet nga Edi Rama përmes 4-5 larove të tij skapistë. Dje u njoha ju me njohjen monstruoze të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë, që shkruanin në dacibaon e tyre se vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë për pagesën në masën 80 përqind të shumës në blerjen e objekteve të privatizuara, nga i cili kanë përfituar qindra e mijëra shqiptarë, duke blerë objekte në privatizim, legalizuar banesat e tyre dhe destinacione të tjera. Ky vendim sipas tyre qenka marrë për të ndihmuar dhëndrin tim, i cili kishte paguar në të holla 88.6 përqind të shumës për blerjen e objekteve të ndërtuara nga shteti komunist në tokën e familjes së tij, të grabitur 50 vite më parë. Dhe ky vendim doli një muaj pasi ata kishin paguar 88.6 përqind të shumës për objekte të ndërtuara në tokën e konfiskuar për 50 vite më radhë”, tha Berisha.
Berisha shton se akuza ku ushtria ishte zaptuesi më i madh i pronave, synon të përbaltë një periudhë kur u bënë reformat më intensive në vend.
“Në pikën 7, para ndryshimit, ligji ndalonte kthimin e pronave, që i shërbenin mbrojtjes kombëtare.
Ushtria mbeti zaptuesi më i madh i tokave pas vitit 1992. Ushtria kishte në inventarin e saj, përveç reparteve të stabilizuara, 4 mijë pika hapja, të cilat vendoseshin nga brendësitë e qyteteve, në të gjithë territorin. Shqipëria ka 2 mijë fshatra, ushtria kishte 4 mijë pika hapje.
Detyrimisht do bëhej gjithçka që ky mamuth, i cili keqpërdoronte pronat private të qytetarëve, duhej të ndryshonte. Dhe ne, nga për qëllime mbrojtje, ligji thotë, e kthyem në subjekte të shpronësuara. U kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes- nuk ishim në në përdorim 4 mijë pika- që janë jashtë strukturës të Forcave të Armatosura, të miratuar nga Presidenti i Republikës. Nëse i pari nuk e fuste këtë koncept, por i linte ato në mëshirën e cilitdo oficer lokal t’i shiste dhe t’i blinte si të donte, ne përcaktuam si standard pronat që hiqeshin nga plani i hapjes së forcave të armatosura me firmën e Presidentit të Republikës.
Në këtë rast, në pamje të parë mund të mendohet se u cenuan interesat e mbrojtjes. Aspak! Mbrojtja nuk kishte të bënte me stadiumet, me terrenet sportive. Forcat e armatosura kanë të bëjnë me terrenet sportive, me hotelet. Pra, forcat e armatosura është përcaktimi më i saktë që mund t’i bëhet dhe jo ajo e përgjithshme e mbrojtjes. Dhe tokës bujqësore, ushtria ishte pronare, i mbillte, i përdorte për qëllime të ndryshme. Ato nuk mund t’i mbante më, kishte ikur koha e komunizmit kur prodhonin ushqimet e tyre. Pra, siç e shihni, çdo akuzë e bërë kundër reformave, është akuzë kundër një sistemi, është akuzë e turpshme politike pa asnjë bazë, akuzë që synon të përbaltë një periudhë kur u bënë reformat më intensive në historinë e vendit. Dhe t’i lidhë ato me diçka me të cilën nuk kanë absolutisht asnjë lidhje”, theksoi ish-kryeministri.
Top Channel