Në lagjen nr 18 të qytetit të Durrësit, policia zbuloi një bazë të riparimit dhe mbajtjes së armëve dhe municioneve, të cilat më pas dyshohet se u tregtoheshin grupeve kriminale.
Baza u zbulua në një banesë të përshtatur nga 38-vjeçari Lorenc Luku si punishte për veprimtarinë e tij. Në rrugë operative policia kishte siguruar informacion për prani armësh në këtë ambient, por nga telefonat që përdorte 38-vjeçari u zbulua se aktiviteti i tij i paligjshëm nuk ishte vetëm mbajtja e armëve dhe municioneve paleje. Ai kishte komunikime me persona të tjerë nga të cilat rezulton se në punishte merrej edhe me rregullimin e shitjen e armëve, municionit luftarak, po dhe sendeve të tjera për llogari të personave dhe grupeve kriminale. I arrestuari gjatë operacionit të koduar “Baza” konsiderohet nga policia, si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Më parë, ai ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa ka dhe precedent penalë për dhunë në familje. Në vitin 2011, atëherë vetëm 26 vjeç, ai u arrestua gjatë një kontrolli të befasishëm policor në një lokal bastesh sportive me një pistoletë model 54 me fishekë të cilën e mbante paleje. Për këtë rast ai është shpallur fajtor dhe dënuar nga drejtësia me gjobë në masën e 450 mijë lekëve.
Në punishten e armëve u gjetën dhe sekuestruan nga policia 1 armë zjarri “Scorpion” me silenciator, 3 skelete pistoletash, një sasi të konsiderueshme fishekësh të armëve të zjarrit dhe të gjahut, 9 celularë dhe 5 ora dore të markave të ndryshme.
Ndërkohë zbardhja e bisedave telefonike pritet të çojë në zbardhjen e identitetit dhe veprimtarisë së personave të tjerë me të cilët i arrestuari dyshohet se ka bashkëpunuar për të siguruar dhe riparuar armë që më pas përdoreshin nga grupe kriminale për vepra penale kundër personit. Gjithsesi do të jetë prokuroria dhe më pas gjykata që do të vlerësojnë materialet e siguruara për dokumentimin e kësaj veprimtari të dyshuar kriminale.
Top Channel