Një muaj nga sulmi në Banjskë, Sveçla: Pa sanksionimin e Serbisë, s’ka paqe në rajon

24/10/2023 22:00

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ndërsa sot është bërë një muaj nga sulmi në Banjskë, tha se pa ndëshkimin e Serbisë për atë ngjarje, nuk mund të ketë paqe në rajon.

“Lideri i sulmit të 24 shtatorit, kryekrimineli dhe bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit të Serbisë, Milan Radojçiç, edhe pasi pranoi pjesëmarrjen dhe udhëheqjen e sulmit pas publikimit të dëshmive tona, u lirua menjëherë nga autoritetet e Serbisë dhe ka refuzim të dorëzimit të tij tek autoritetet tona të drejtësisë. Për më keq, Serbia shpalli tre ditë zie për tre terroristët që u neutralizuan nga zyrtarët tanë policor gjatë ballafaqimit të armatosur. Këto fakte dhe jo vetëm, dëshmojnë fuqishëm që Serbia sponsorizon me të gjitha kapacitetet e saj terrorizmin në rajon”, tha Sveçla.

Sveçla theksoi se me këtë sulm, Serbia rikonfirmoi që ambiciet e saj për territorin e Kosovës nuk i ka zbehur nuk i ka harruar.

 “Me 24 shtator Republika jonë triumfoi kundër terrorit të Serbisë. Pa sanksionimin e Serbisë dhe ndëshkimin e 24 shtatorit e ardhmja nuk është e përcaktuar qartë për paqe dhe demokraci në rajon. Pa sanksionim të Serbisë në fakt stimulohen akte të tilla që cenojnë integritetin e shteteve fqinje. Heroi Afrim Bunjaku me rënien e tij në ballafaqim me grupet terroriste mbrojti vendin tonë e qytetarët tanë si dhe shpërfaqi kriminalitetin e terrorizmin e sponsorizuar nga Serbia që e kemi thënë prej kohësh”, ka përfunduar Sveçla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA