Presidenti i Amerikës Joe Biden paralajmëroi gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë se ndihmat humanitare në Gaza nuk po ecin me ritme të shpejta.
“Nuk po ecin mjaftueshëm shpejt,”- u përgjigj presidenti Biden pasi u pyet nga gazetarët në një ceremoni çmimesh për Medaljet Kombëtare të Shkencës dhe Medaljet Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit.
Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, 34 kamionë kanë hyrë në Gaza gjatë fundjavës.
CNN raporton se 20 kamionë me ndihma për civilët kaluan ditën e hënë kufirin Rafah në Gaza. Këto ndihma humanitare do të shërbejnë për të lehtësuar nevojat e më shumë së 2 milionë njerëzve që kanë mbetur të bllokuar në rripin e Gazës.
Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha për gazetarët se ndihmat duhet të shkojnë sa më shpejt dhe sa më shumë të jetë e mundur.
Top Channel