Macron mbërrin në Izrael: Lirimi i pengjeve, prioritet kryesor!

24/10/2023 12:52

Franca qëndron në solidaritet të plotë me Izraelin në luftën e tij kundër terrorizmit, deklaroi shefi i Elizesë, Emmanuel Macron teksa takohej me homologun e tij izraelit Isaac Herzog në Jeruzalem në fillimin e vizitës një ditore në shtetin hebre.

Ajo që ndodhi, nuk do të harrohet kurrë u shpreh kryetari i shtetit francez duke iu referuar sulmit të 7 tetorit. Macron nënvizoi se lirimi i personave të marrë peng nga Hamasi, është prioritet kryesor.

“Objektivi i parë që duhet të kemi sot është lirimi i pengjeve, pa asnjë dallim, sepse të luash me jetët e fëmijëve, të moshuarve, civilëve, ushtarëve, ky është një krim i tmerrshëm. Fushata ushtarake e Izraelit në Gaza duhet zhvilluar sidoqoftë pa e zgjeruar më tej këtë konflikt“- tha Macron.

Militantët e Hamasit liruan më herët dy gra të tjera izraelite që mbaheshin pegn në Rripin e Gazës. Kjo është hera e dytë që grupi militant palestinez liron pengje të rrëmbyera gjatë sulmit të përgjakshëm kundër Izraelit. Gratë e liruara janë Yocheved Lifshitz, 85 vjeç dhe Nurit Cooper, 79 vjeç.

Sipas zyrës së kryeministrit izraelit, ato rrëmbyen së bashku me burrat e tyre në vendbanimin izraelit Nir Oz, i cili ndodhet përgjatë kufirit të Izraelit me Rripin e Gazës. Burrat e tyre vazhdojnë të jenë në duart e militantëve. Tel Avivi e përditësoi numrin e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi në 222. Përpos takimit të planifikuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Macron ka nisur takimet edhe me banorë që kanë shtetësi izraelite dhe franceze të cilët kanë familjarë të vrarë, ndërsa mund ta shfrytëzojë këtë vizitë për të biseduar edhe me partnerët arabë në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA