Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor, financimi i grupit islamik u rikthye në qendër të vëmendjes, e bashkë me të, edhe roli i kriptovalutave në financimin e terrorizimit dhe militantëve.
Izraeli ka konfiskuar tashmë llogari të kriptovalutave që ka thënë se janë të lidhura me Hamasin. Përse kjo mënyrë financimi po gjen kaq shumë terren mes organizatave të tilla? Një arsye kryesore është se cdokush mund të hapë një llogari për kriptovaluta dhe jo gjithmonë duhet t’iu nënshtrohet kontrolleve, që zakonisht bëjnë bankat.
Adresat janë me pseudonime – të emëruara me shkronja dhe numra – që nënkupton se njerëzit mund të dërgojnë dhe pranojnë kriptovaluta pa zbuluar identitetin e tyre. Teknologjia “blockchain” apo blloqe zinxhir mundëson operimin e kriptovalutës në aspektin digjital, përtej kufijve dhe nënkupton se mund të funksionojë si një sistem i pagesave të menjëhershme.
Në botë, kriptovalutat u nënshtrohen rregullave më pak specifike sesa financat tradicionale, edhe pse në disa rajone janë duke u vendosur rregulla të reja për monedhat virtuale. Task Forca për Veprim Financiar (FATF), trupi botëror përgjegjës për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ka paralajmëruar se asetet e kriptovalutave “rrezikojnë të bëhen një strehë e sigurt për transaksionet financiare për kriminelët dhe terroristët”.
Kriptovalutat mund të gjurmohen, por jo gjithmonë. Krimet me kriptovaluta kapën një shifër rekord prej 20.1 miliardë dollarësh më 2022. Në këtë shifër nuk përfshihen krimet sikurse pagesat për drogë.
Top Channel