Ish-avokatja e fushatës së Donald Trumpit, Jenna Ellis, është deklaruar fajtore për rastin e tentativës së përmbysjes së zgjedhjeve në Xhorxhia.
Ajo akuzohet se bëri deklarata të rreme për të nxitur tensione. Ndërkohë prokurorët pas pranimit të fajësisë, rekomanduan pesë vjet shërbim prove për avokaten dhe 5 mijë dollarë gjobë.
Përpara trupit gjykues në Atlanta, Ellis u shfaq e përlotur ndërsa pranoi fajësinë duke mohuar kategorikisht pjesëmarrjen e saj në përpjekjet e paprecedenta të ish-presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020, raporton CNN.
“Nëse do ta dija atë që di tani, do të kisha refuzuar që të përfaqësoja Donald Trump”, tha Ellis, para gjyqtarit të çështjes.
Ajo shtoi më tej duke pranuar se nxiti ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giulian që të bënte deklarata të rreme në seancën e muajit dhjetor të vitit 2020 kundër ligjvënësve të Xhorxhias, se kishin mashtruar votuesit.
Ellis pranoi gjithashtu se shumë nga deklaratat pas-zgjedhore të bëra prej saj ishin të rreme. Ish-avokatja e Trump, në këto zgjedhje presidenciale po mbështet guvernatorin e Floridës Ron DeSantis.
Ndërkohë më herët para gjykatës kanë dalë dhe persona të tjerë nga kampi i mbështetësve të ish-presidentit Donald Trump, që po përballet tashmë me një sërë akuzash të ngritura nga prokurorët.
Top Channel