Zona e gjerë e Bulevardit Figueroa në jug të Los Angeles është mbushur tashmë me qindra prostituta, disa prej të cilave ende adoleshente, që kur guvernatori demokrat Gavin Newsom kaloi ligjin e kontestuar ashpër për “Rrugët e sigurta”, sipas të cilit mund të qëndrosh në rrugë me qëllim prostitucionin, shkruanin sot mediat konservatore në SHBA.
“Më parë ky aktivitet ndodhte ku shumica e qytetarëve nuk e shikonin por jo 24 orë në ditë. Tani edhe nëse kalon në 2 të drekës me familjen e shikon, është e neveritshme”, tha një qytetar për rrjetin vendas CBS8.
“Nëse hyn nëpër rrugica shikon prostitutat duke bërë ‘punën’ e tyre në mure me burrat, por nënat me fëmijë duhet të kalojnë për të bërë lëvizjet e tyre pasi këta pushtetarë nuk duan t’ia dinë çfarë efekti mund të ketë kjo te fëmijët që i shohin”, shtojnë dëshmitarët.
Policia e Los Angeles thotë se si pjesë e rregullave të reja nuk mund të ndalojnë më në rrugë femrat thuajse të zhveshura, përvec rasteve kur ato duken nën moshë.
Në ato raste ata i shoqërojnë ato në stacion dhe i referojnë te shërbimet e kujdesit të fëmijëve ose familjes.
Por dhe kur kjo ndodh dhe ato merren në programe mbrojtjeje, burimet thonë se ato i shikojnë përsëri në rrugë disa ditë më vonë.
OJQ-te që punojnë kundër trafikut si ‘Journey Out’ thonë se e kanë gjithnjë e më të vështirë të lidhen me numrin madh të punonjëseve të seksit që dalin në rrugë.
Muajin e kaluar në zonë u raportuan një total prej gjashtë përdhunimesh, ndërsa 51 të tilla janë denoncuar prej fillimit të vitit, sipas të dhënave.
Shefi i policisë Jon Pinto, tha se 95% e femrave që punojnë si prostituta kanë pronarët e tyre, që janë të lidhur me bandat e krimit dhe të drogave.
“Aty ku ne punojmë në jug të Los Angeles, nuk merremi më me prostitucionin, kur është me miratim nga të dy personat. Po merremi me trafikun njerëzor në Figueroa ku ka dyshime për dhunim dhe detyrim në prostitucion, një korridor që ka pasur rritje të viktimave të trafikut”, tha Pinto.
Por problemi është përkeqësuar aq sa policia e Los Angeles, OJQ vendase dhe shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve janë bashkuar në një iniciativë për të ndihmuar viktimat e trafikut.
Vërshimi i punonjëseve të seksit është gjithashtu një problem i rëndë dhe në qytete të tjera si San Diego fqinjë, ku kryebashkiaku Ron Morrison ka ngritur alarmin, i skandalizuar nga gratë thuajse të zhveshura në rrugët e trotuaret e qytetit.
“Policia tashmë nuk mund t’u thotë asgjë sepse ato nuk po bëjnë asgjë të gabuar sipas ligjeve të reja, edhe nëse shkojnë t’i flasin dikujt nga dritarja e makinës të veshura vetëm me bikini,” tha ai për rrjetin CBS8.
Familjarë dhe nëna me fëmijë duhet t’i shmangen prostitutave në rrugë, megjithë diku në një reklamë të madhe sensibilizimi shihet një grua e dobët e veshur pak, dhe mbishkrimi: “Pronarët nuk duan t’ia dinë për ty. Ne po, ka gjithmonë një rrugëdalje.”
Top Channel