Megaoperacioni ndërkombëtar kundër trafikut të drogës mes Italisë dhe Shqipërisë, sekuestrohen pasuri me vlerën 3 milion euro

22/10/2023 08:11

Detaje të reja kanë dalë nga megaoperacioni i kryer në bashkëpunim të SPAK me autoritetet italiane.

Mbi 3 milionë euro ka arritur vlera e pasurve të sekuestruara, një organizate shqiptare, e cila importonte drogë në sasi të mëdha për ta shitur më pas në territorin e Italisë.

Guardia di Finanzia e rajonit të Brescia dhe e Bergamos, në bashkëpunim me Policinë qendrore italiane kundër krimit të organizuar dhe SPAK kanë nxjerrë urdhër sekuestrot për pesë prona, pesë kompani individuale, aksionet e një kompanie që operon në sektorin e karburanteve, tre automjete dhe një anije peshkimi, të gjitha me vlerë mbi 3 milionë euro.

Urdhër sekeustrot janë nxjerrë nga SPAK më 6 tetor, pas përfundimit të një operacioni kompleks hetimor që ishte bashkëpunim mes ekipeve hetimore të dy vendeve. Disa muaj më herët, në 26 janar, u nxorën 43 masa sigurie, ndërsa u sekuestruan 120 kilogramë kokainë, 15 kilogramë heroinë e pastër, 129 kilogramë marijuanë dhe 92 kilogramë hashash. Në këtë operacion SPAK dhe autoritetet italiane kishin edhe mbështetjen e Europol dhe Eurojust.

Shoqata kriminale me origjinë shqiptare kishte një rrjet të gjerë veprimtarie. Ata merrnin kokainë të importuar në Holandë për ta shitur kryesisht në Italinë veriore. Gjithashtu grupi tregtonte edhe heroinë, 90% e pastër, e cila përpunohej në dy laboratorë në provincat e Kremones dhe Milanos, e më pas shitej. Pjesë e veprimtarisë ishte edhe marijuana, farat e së cilës ishin importuar për tu kultivuar në dy sera të krijuara në provincat e Mantua dhe Modena.

 

Top Channel