Liderët botërorë janë mbledhur në Kajro të Egjiptit për një takim të nivelit të lartë që synon shtensionimin e situatës në Lindjen e Mesme, ku konflikti mes Hamasit e Izraelit rrezikon gjithmonë e më shumë përhapjen në rajon.

I pagëzuar si “samiti  paqes”, ai ka bërë bashkë përfaqësues nga mbi një duzinë vendesh përfshirë Jordaninë, Francën, Rusinë, Kinën, Anglinë, Italinë, Shtetet e Bashkuara e Katarin, përpos OKB-së e BE-së.

Presidenti egjiptjan ABDEL FATTAH AL-SISI, përsëriti deklaratën e tij të prerë se Egjipit i kundërvihet rreptësisht idesë së një shpërnguljeje të detyruar të palestinëzëve dhe eksodit masiv të tyre drejt gadishullit të Sinait. Kreu i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas paralajmëroi edhe ai për rrezikun e zhvendosjes së popullit të vet.

Përpjekjet për të zhvendosur njerëzit tanë nga Gaza janë shumë të rrezikshme. Ne paralajmërojmë gjithashtu edhe ndaj dëbimit të palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor apo Jeruzalem. Ne nuk kemi për t`i pranuar shpërnguljet e detyruara, por do të qëndrojmë aty në tokën tonë, pavarësisht sfidave me të cilat do të përballemi.”

Al Sisi i ftoi pjesëmarrësit e samitit të arrijnë marrëveshje për një plan, përmes të cilit t`i jepet fund katastrofës humanitare në Rripin e Gazës, si edhe për të ripërtërirë rrugën drejt paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Objektivi fillestar i këtij udhërrëfyesit sipas tij, përveç ndihmave për Gazën, do të jetë dhe arritja e një armëpushimi, të ndjekur nga negociatat që të çojnë drejt një zgjidhjeje përfundimtare të konfliktit të hershëm, asaj përmes dy shteteve.

Top Channel