Dhjetra mijëra protestues marshuan sot sërisht në qendër të Londrës, ashtu si në qytetet e tjera kryesore të Britanisë, që kanë parë zemërim të thellë për veprimet e ushtrisë së Izraelit ndaj qytetit të Gazës.
Policia britanike tha se rreth 100,000 njerëz morën pjesë në demonstratë megjithë motin me shi, në marshimin që përfundoi para zyrës së kryeministrit britanik Rishi Sunak.
Autoritetet thanë se rreth njëmijë oficerë anti-terrori monitoronin marshimin për të parë nëse shpaloseshin simbole të Hamas ose Hezbollah, që janë ndaluar nga autoritetet në Britani.
Ata thanë se do të lejonin në fjalime brohorimën e përdorur nga Organizata për Çlirimin e Palestinës, “nga lumi deri te deti, Palestina do të jetë e lirë”.
Turmat në Londër mbanin flamurë palestinezë teksa pjesëmarrësit kërkonin që Izraeli të ndalonte izolimin e Gazës dhe sulmet që kanë vrarë më shumë se 4,000 palestinezë, si dhe kanë detyruar rreth 1 milionë prej tyre të largohen nga shtëpitë.
Para marshimit zyrtarët nxitën demonstruesit të kishin parasysh ndjenjat e komunitetit hebre britanik.
Ata shtonin se shumica e protestës u zhvillua pa incindente por kishte pasur “disa xhepa trazirash të rendit dhe përdorim i gjuhës së urrejtjes”.
Në Gjermani zyrtarët në Berlin vendosën paraprakisht ndalim të marshimeve pro-Palestinës të planifikuara për nesër, ndërsa kanë lejuar një demonstratë në mbështetje të Izraelit nesër (e dielë) në kryeqytet.
Protesta të tjera pro-Palestineze u zhvilluan sot Romë, Sydney, Washington, D.C., në Amman të Jordanisë, në Beirut dhe në shumicën e vendeve muslimane si Marok, Turqi, Malajzi e Bangladesh.
Top Channel