Familjet në jug të Libanit zhvendosen në shkolla prej sulmeve izraelite pranë kufirit (fotot)

21/10/2023 19:28

Familje libaneze të qytetit jugor Tyre pranë kufirit me Izraelin, kanë nisur të vendosen në shkolla e strehime teksa kërkojnë të shpëtojnë prej përshkallëzimit të sulmeve izraelite ndaj fraksioneve pro-palestineze të Libanit.

Të shokuar nga pamjet e fëmijëve të vdekur në Gaza, Mustafa al-Sajid thotë mori familjen e tij për në strehimin më të afërt që prej nisjes së sulmeve izraelite ndaj fshatit të tij kësaj jave, shkruan rrjeti AFP.

“Ajo që po shikojmë në televizion – masakrat që po ndodhin në Gaza, fëmijët e vrarë të copëtojnë zemrën,” thotë 53-vjeçari nga Beit Lif, gjashtë km larg kufirit izraelit.

“Sikur të mos kisha frikë se kjo mund të na ndodhte ne, nuk do të isha zhvendosur”, shton Sajid, i cili ka 11 fëmijë, gjysmën e të cilëve nën 10 vjeç.

Familja e tij është mes rreth 4,000 libanezëve që po i largohen pikave pranë kufirit në qytezën  jugore Tyre, thonë zyrtarët vendas.

Gjysma e tyre janë vendosur në tre shkolla publike që janë konvertuar në strehime të përkohshem, ndërsa pjesa tjetër janë larguar për të jetuar me familjarë ose miq.

Të zhvendosurit kanë ardhur duke u shtuar edhe në Liban që prej nisjes së luftes më 7 tetor.

Zyrtarët në Liban thonë se 22 njerëz janë vrarë prej sulmeve, të paktën pesë prej tyre civilë, shkruan AFP.

Sajid, vëllai i të cilit është vrarë në luftën e vitit 2006 mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollah, thotë se nuk dëshiron më vdekje në familje.

“Të gjithë fëmijët e mi janë të vegjël. Nëse apokalipsi vjen, nuk di si t’i shpëtoj, prandaj po largohem”, thotë babai, nga klasa e shkollës që është mbushur me dyshekë.

Zyrtarët vendas thonë se tre strehimet e improvizuara janë tashmë të mbushura me të larguar teksa nuk dihet sesa të sigurta janë ato, apo sesa lufta shkatërrimtare do të zgjasë.

FOTO GALERI
1/10
Familje libaneze të qytetit jugor Tyre pranë kufirit me Izraelin, kanë nisur të vendosen në shkolla e strehime teksa kërkojnë të shpëtojnë prej përshkallëzimit të sulmeve izraelite

Top Channel