Mjekimet e gabuara po sjellin shpesh pasoja fatale për pacientët që marrin shërbime nga spitalet publike dhe private.

“Top Story” ka sjellë sërish në vëmendje një tematikë, ku pacientët pavarësisht se hedhin miliona për të fituar shëndetin, përfundojnë me dëme të pakthyeshme dhe në disa raste edhe humbje jete nga mjekimet e gabuara të mjekëve.

I ftuar në emision, kryeredaktori i “Inside Story”, Andi Malasi ka rrëfyer rastin fatal të vajze e cila nuk jeton më sepse mjekët nuk i hoqën tumorin, dhe kalvarin e ndjekur nga familjarët për të marrë drejtësi edhe pse 6 vite pas vdekjes së saj.

“Fillimisht dua të vlerësoj që “Top Story” dhe Top Media mban fuqishëm zërin e një problematike për të mos ndodhur ai fenomeni shqiptar që jemi mësuar se “çudia më e madhe tri ditë zgjat”.

Ne vijojmë t’i ndjekim në mënyrë sistematike problematikat që vuan kjo shoqëri, sidomos kur bëhet fjalë për çështjen e shëndetit, për jetën e njeriut.

Sa i përket rastit më përfaqësues, është një rast që ka zgjatur plotë 14 vite në sistemin e drejtësisë. Bëhet fjalë për një person që nuk jeton më dhe për arsye etike edhe në dokumentar ne e kemi përmendur emrin vetëm me iniciale. Historia ka nisur në vitin 2008. Në atë kohë vajza e datëlindjes 1985 ka konstatuar një masë tumorale në gjirin e djathtë dhe është paraqitur në Spitalin Amerikan. Sipas procedurave mjekësore që i kanë prezantuar stafi spitalor, por edhe pas kryerjes së operacionit masa tumorale ishte po aty.

Në të njëjtën kohë masa tumorale nuk u trajtua si tumor malinj por belinj dhe pacientja nuk mori mjekimet e duhura. Dhe çfarë ndodh?

Pasi u konstatua më pas se ishte tumor malinj, vajza bëri një ndërhyrje tjetër kirurgjikale në një tjetër klinikë ku vërtetoi se masa tumorale nuk ishte hequr në asnjë moment.

Procesi vijoi në gjykatë. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë në vitin 2015 ka dhënë vendimin e parë gjyqësor. Nga viti 2008 janë dashur 7 vite që të merret vendimi i parë në shkallët e gjyqësorit dhe thuhet deklarimi fajtor i të pandehurit Dorjan Bozaxhiu, mjeku në këtë rast.

Për të kaluar një vit më vonë në 2016-ën, këtu mund të themi se ka qenë një rast me fat sepse Apeli ka zgjatur si proces një vit ndërsa sot çështja e ndjekur në rrugë gjyqësore të shkon edhe deri në 3 vjet deri sa të çelet seanca e parë.

Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke vendosur pushimin e ngarkesës penale në drejtim të mjekut. Tani ne të gjithë e dimë që Gjykata e Apelit nuk është një Gjykatë fakti, pra nuk shqyrton themelin. Gjykata e Shkallës së Parë, bazuar në ekspertime dhe hetimin e thelluar, vendosi në fajsimin e mjekut. Kjo sepse ishte edhe diagnoza e gabuar, edhe mjekim i gabuar. Mosmarrja e ndihmës mjekësore të duhur solli humbjen e jetës së pacientes disa vite më pas në 2016.

Çfarë ndodhë? Çështja ka shkuar në Gjykatën e Lartë fill pas vendimit të Apelit dhe vetëm në vitin 2022, pra saktësisht pas 14 vitesh, më 3 shkurt të 2022 Gjykata e Lartë lë në fuqi prishjen e vendimit të Apelit. Por në fakt ky është një vendim që s’ka më vlerë sepse vajza kishte ndërruar jetë prej vitesh. Pra janë dashur 14 vite që procesi të mbyllet përfundimisht në shkallët e gjyqësori. Pyetja qëndron se kush e mbanë përgjegjësinë në këtë rast?”- tha Malasi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA