Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sulmin me bombë që iu bë spitalit në Gaza, ku qindra të plagosur, të sëmurë dhe personel mjekësor mbetën të vrarë.
Pamjet e godinës së spitalit Al-Ahli, janë thellësisht tronditëse thotë Rama, ndërsa shton se sipas ligjeve ndërkombëtare të sëmurët e mjekët nuk preken.
“Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën. Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken. Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore”, thotë kryeministri, në një postim në X, dikur Twitter.
Më herët kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, në një deklaratë tha se nuk e kishin sulmuar ata spitalit, por kjo masakër u krye nga vetë Hamasi, pasi raketa e tyre dështoi. Rama e quajti drithëruese deklaratën, por duhet të mblidhen të gjitha faktet dhe provat, që të zbulohet autorësia e këtij sulmi.
“Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit. Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrënqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit”, shprehet ai.
Kryeministri tregoi edhe njëherë mbështetjen për Izraelin, i cili u godit nga militantët e Hamasit. Por pavarësiht kësaj, thotë ai, është përgjegjësi e botës demokratike që të zbulohet e vërteta.
“Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, tha Rama.
Top Channel