Qeveria po vijon me punën për të miratuar një ligj, i cili do ta bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesave nga tërmetet apo fatkeqësitë natyrore.
Projektligji është momentalisht në konsultim publik, ndërsa për hartimin e plotë të tij po jep ekspertizën edhe Banka Botërore. Ligji synon që qytetarët të paguajnë një tarifë vjetore, e cila do t’i kalojë Fondit Kombëtar të Tërmeteve, një shoqëri aksionere në pronësi shtetërore. Sipas ministrit të Financave, Ervin Mete, qëllimi është që rreziku i fatkeqësive natyrore të mos i rëndojë më buxhetit të shtetit, por kompanive të sigurimit
“Nuk është taksë. Është një prim bazik sigurimi që do të mundësojë mbrojtje nga tërmetet. Do të jetë i përballueshëm. Për ata shtresa që mbështeten nga qeveria, do të rishikohet në ligj që edhe primi të mbështetet nga qeveria dhe nga buxheti i shtetit.
Po e diskutojmë ngushtësisht me Bankën Botërore. Në konferencën që unë përmenda kishim përfaqësues nga një sërë vendesh ku funksionojnë skema të tilla”.
Thelbi është që të krijohet një fond që nëpërmjet risigurimit transferon riskun nga vendi te kompanitë më të mëdha të risigurimit botëror, u shpreh ministri i Financave.
“Në këtë mënyrë, në rast të një ngjarjeje që konsiderohet katastrofë, do të kemi ndërhyrje të shpejtë nga modelet e sigurimit dhe risigurimit, që janë praktikat më të mira botërore. Buxheti i shtetit ka financuar deri më tani 890 mln euro për rindërtimin dhe bonuset e qirasë. Në momentin që ngrihen skema të tilla që të jenë të përballueshme, krijohet mundësia që të transferohet risku dhe të veprohet shpejt në rast të një ngjarjeje katastrofike.
Ende nuk ka një vlerë konkrete sa i përket primit vjetor që do të paguhet, ndërsa pas miratimit të ligjit, synohet që kjo të vendoset me një VKM, e cila përveç faktorëve të rrezikut do marrë parasysh edhe një sërë faktorësh të tjerë ekonomikë. Ligji do të përfshijë të gjithë banesat rezidenciale të legalizuara ose jo, ndërsa parashikohet se shteti do të mbulojë pagesën e primit për shtresat në nevojë.
Top Channel