Oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit gjatë kontrollit në Osnabruck, Gjermani, gjatë hetimit për Hewa Rahimpur

Përgjegjësi i 10,000 kalimeve me gomone drejt Anglisë është dënuar me 11 vite burg këtë të mërkurë.

30-vjeçari Hewa Rahimpur, një azilkërkues kurd iranian, i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2016, përdori shtëpinë e tij për të drejtuar dhe financuar një rrjet të trafikimit të personave në të gjithë Evropën, përfshirë edhe shqiptarë, që ishte përgjegjës për një të katërtën e kalimeve të Kanalit në një vit, sipas The Telegraph.

Banda e tij arrinte deri në 260,000 paund për varkë, duke i ngarkuar emigrantët nga 3,000 deri në 6,000 paund, por u shkatërrua nga një operacion policor në mbarë Evropën pasi NCA përgjoi mesazhet telefonike dhe arriti ta identifikonte dhe arrestonte.

Rahimpur përdori llogaritë e mediave sociale, duke përfshirë Facebook, për të reklamuar shërbimet e tij, duke përdorur identitete të ndryshme.

Hewa Rahimpur

Ai ishte ‘koka’ kryesore e bandës në rrjetin e furnizimit, ku gomonet bliheshin në Turqi, duke përdorur goma dhe materiale të tjera nga Evropa jugore dhe motorë nga Kina.

Më pas ata u transportuan në Gjermani për ruajtje, gati për destinacionin e tyre përfundimtar, në plazhet e Francës veriore.

Ai u demaskua pas dy konfiskimeve të pajisjeve të varkave të vogla që po transportoheshin përtej kufirit Francë-Belgjikë, ku mesazhet i lidhnin drejtuesit me një numër telefoni me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetuesit e NCA mundën të përcaktonin se numri i Mbretërisë së Bashkuar i përkiste Rahimpurit, por nuk e dinin se ku ishte. Ata e gjetën atë në lindje të Londrës, ku u arrestua në Wanstead Park në 4 maj të vitit të kaluar.

Arrestimi i tij shkaktoi një operacion policor në mbarë Evropën që çoi në shkatërrimin e bandës së tij prej 40 personash. Oficerët konfiskuan 60 gomone dhe qindra jelekë shpëtimi, duke çuar në një reduktim të menjëhershëm të kalimeve pasi zinxhiri i furnizimit u ndërpre.

Në korrik të vitit të kaluar, një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar urdhëroi që Rahimpur të ekstradohej në Belgjikë për t’u përballur me gjyqin në Bruges.

Gomonet

Rahimpur luftoi ekstradimin, duke pretenduar se kishte një grua dhe një fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar dhe se largimi i tij do të ishte në shkelje të të drejtave njerëzore. Burimet policore thanë se nuk kishte shenja të një stili jetese “të tepruar”, megjithëse ai ishte gati të blinte një makinë të shtrenjtë në momentin që u arrestua.

Këtë të mërkurë, një gjykatës në Bruges e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 11 vjet burg. Së bashku me të u dënuan edhe 19 persona të tjerë dhe u burgosën nga 30 muaj deri në tetë vjet.

Më shumë se 26,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin këtë vit, 30 për qind më pak se vitin e kaluar. Burimet e Home Office thonë se ka një rënie prej 90 përqind të shqiptarëve, të cilët përbënin një të katërtën e vitit të kaluar.

Top Channel