Samiti në Tiranë/ “6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor”, Von der Leyen: Fond i kushtëzuar! Rama: Po përballemi me sfida të jashtëzakonshme

16/10/2023 18:45

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Vond der Leyen gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrin Edi Rama në përmbyllje të Samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë tha se ka propozuar një paketë investimi prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.

Ajo tha se fondi i kushtëzuar përbëhet nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi, ndërsa theksoi se do të lirohet me zbatimin e reformave.

Presidentja e KE tha se kjo mënyrë ka funksionuar shumë mirë në Bashkimin Evropian dhe se është thellësisht e bindur se do të funksionojë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Von der Leyen: Në fundi, shtylla e katërt e Planit është, nëse po bëhen përpjekje për reforma, ato do të përputhen me rritjen e fondeve të BE-së për investime. Me fjalë të tjera, ne kemi propozuar një paketë investimi prej 6 miliardë eurosh. Kjo është e përbërë nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. E njëjta logjikë vlen si për planin tonë të investimeve “NextGenerationEU” për Shtetet Anëtare. Janë investime dhe reforma. Fondet do të lirohen me zbatimin e reformave. Pra është e kushtëzuar. Ajo funksionon shumë mirë në Bashkimin Evropian. Jam thellësisht e bindur se do të funksionojë edhe në Ballkanin Perëndimor. Ju falënderoj përsëri. Ky ka qenë një samit i shkëlqyer. Ne duam të ecim përpara, dhe ne duam të ecim më shpejt. Le të kapim momentin”, tha Von der Leyen.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama gjatë konferencës theksoi se të gjitha vendet po përballen me sfida të jashtëzakonshme.

Kryeministri Edi Rama: Është një ditë e paharruar, e cila po përmbyllet përkundër të gjitha parashikimeve të aplikacionit të motit të “Apple” dhe dëshira për të mbajtur sa më mirë miqtë tanë ka qenë më e fortë sesa çdo ekspertize meteorologjike që gjatë gjithë javës na thoshte që dita do të ishte ditë me shi dhe nuk ishte kështu. Kështu që, jam mirënjohës Zotit dhe Bashkimit Evropian që u siguruan që kjo ditë të niste me një diell të mrekullueshëm dhe të mbyllej me një fllad të këndshëm. Ndërsa Samiti u mbyll me diskutime mjaft të frytshme, me shkëmbime vërtetë të hapura dhe me një ndjenjë të vërtete miqësie. Nuk do të gjeja dot kurrë fjalët e duhura për të falënderuar Kancelarin që në mënyrë kaq të hirshme, qe i hapur për idenë për ta sjell Procesin e Berlinit jashtë Bashkimit Evropian, në Tiranë. Dhe nuk do të gjeja dot kurrë fjalët e nevojshme për të falënderuar Presidenten e Komisionit që i dha këtij samiti diçka vërtete thelbësore përmes planit të ri të rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Ky është një moment i vështirë në kohë për çdo vend dhe sfidat me të cilat ne të gjithë së bashku përballemi janë të jashtëzakonshme për shkak të krizave të njëpasnjëshme që kanë goditur të gjithë ne, qofshim Evropë me B apo Evropë pa B-në bashkëlidhur. Nuk duket se gjërat bëhen më mirë përpara sesa të përkeqësohen në shumë fronte, përfshi frontin e ri të tmerrshëm në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit. Në të njëjtën kohë sidoqoftë këto kohë kanë farkëtuar miqësinë tonë, kanë farkëtuar bashkëpunimin tonë, kanë farkëtuar ndjenjën e përbashkësisë dhe falë udhëheqjes së Bashkimit Evropian, ajo çfarë ka ndodhur është shfrytëzuar për të parë përpara me një besim më të fortë kundrejt Ballkanit Perëndimor.

Nuk dua ta flas gjatë pasi siç mund ta imagjinoni mund t’ju mbaj këtu deri nesër, por këta dy gjermanë krah meje kanë orare, kanë afate kohe të përcaktuara, avionë për të marrë e gjëra për të bërë. Kështu që, nuk dua që të marrë nga koha e tyre këtu sepse nuk ndodh çdo ditë që të kemi nderin që të presim Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe nuk ndodh çdo ditë që të presim Presidenten e Komisionit. Kështu që jam i sigurt që ato që do thonë ata janë më të rëndësishme se ajo çfarë mund të them unë dhe si përherë mbetem i gatshëm për pyetje në qoftë se ka ndonjë pyetje që më drejtohet. 

Tirana këtë të hënë u kthye në kryeqytetin e Evropës, duke mbledhur udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Disa çështje u prekën këtë 16 tetor, që nga integrimi në BE, marrëdhënia Kosovë-Serbi apo lufta mes Izraelit dhe Palestinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA