Pronari i Milanit, Garry Cardinale dëshiron të ndjekë rrugëtimin e Silvio Berlusconit.
Ish-presidenti legjendar italian, ndërroi jetë më 12 qershor në moshën 86-vjeçare. “Kavalieri” fitoi gjithçka me kuqezinjtë nga Milano, duke e kthyer Milanin në një nga skuadrat më të bukura, më fituese dhe më të dashura në historinë e futbollit.
“Berlusconi ishte një legjendë dhe një kampion i jashtëzakonshëm. Dhe unë do të përpiqem të ndjek hapat e tij për ta bërë Milanin edhe më të madh. Zotërimi i një prej markave më historike në të gjithë futbollin evropian është një privilegj dhe një përvojë unike. Por si student i historisë, nuk mund të mos bëhesh shpejt i vetëdijshëm për gjurmët gjigante italiane që po ndjek. Si dhe përgjegjësinë e madhe ndaj njerëzve dhe tifozëve që e quajnë veten milanistë”, u shpreh Cardinale. 56-vjeçari nga Filadelfia, themeluesi i RedBird Capital Partners, ka një pasuri personale prej rreth një miliard dollarësh.
I diplomuar në “Politikë dhe Teori Politike” në Oksford në 1991, pronari i RedBird punoi për 20 vjet në Goldman Sachs përpara se të krijonte kompaninë e tij në 2013. I apasionuar pas sportit, ai tashmë ka investuar në fusha të ndryshme dhe veçanërisht në futboll. Përveçse është pronar i klubit francez Toulouse, ai zotëron edhe aksione në Fenway Sports Group, grupi që zotëron Liverpoolin. Cardinale ka menaxhuar edhe klube në sporte të tjera, veçanërisht në NFL dhe NBA. Përkatësisht ligat më të mira të futbollit dhe basketbollit në SHBA.
“Sporti ishte ndryshe kur unë nisa të merresha me sport. Sot ka shumë interesa, biznes, kapital, ndaj ka një angazhim tjetër, por gjithmonë me të njëjtën ndjenjë dhe vendosmëri për të fituar.
E urrej humbjen, ndihem si një fitues si ju dhe prandaj e ardhmja do të duhet të ndërtohet mbi sukseset e arritura deri më tani me vendosmërinë dhe vullnetin për të fituar.
Mbiemri im, Cardinale, është italian, si dhe mbiemri i nënës sime, D’Annunzio. Kur e pyeta nënën time pse nuk kisha mësuar italisht, ajo më tha se kur gjyshërit e mi erdhën në Amerikë në fillim të viteve 1900, për t’u integruar, italianët nuk duhej të flisnin italisht.
Përkundrazi, duhet të kërkonin të mësonin anglisht. Kjo është arsyeja pse sot nuk flas italisht. Unë kam filluar tashmë mësimet e mia në italisht, dy fjalët e para janë themelore: Forza Milan!“. /Supersport
Top Channel