Artur Bibe, pranë kufirit me Gazën: Tanket janë në pritje të sulmit, ndërsa artileria godet herë pas here

13/10/2023 16:55

Top Channel vijon ende të jetë në territorin e luftës të Lindjes së Mesme.

Gazetari Artur Bibe ndodhet jo larg kufirit me Gazën, ku situata është e tensionuar, ndërsa ushtarët presin për një sinjal për të sulmuar.

“Janë pak hapa që ne mund t’i bëjmë në territorin tanimë drejt Egjiptit. Këtu janë forcat ushtarake të Izraelit”, tregon gazetari.

Ai flet gjithashtu edhe për vështirësinë e kalimit dhe lëvizjes në terren, ndërsa është ndër gazetarët e vetëm që ka marrë guximin dhe ka mundur të mbërrijë shumë pranë kufirit me Gazën.

“Mundëm me shumë vështirësi të kalojmë dhe të mbërrijmë në check point-in e fundit. Asnjë gazetar nuk ka mundur të vijë deri tani. Ushtarët kanë urdhra të prerë të mos lejojnë askënd. Deri këtu ku munda të vij, njëri prej tyre po më vëzhgon se nuk duan që dikush të rrezikojë në vendin ku ata kanë përgjegjësinë, që mos të ndodhë diçka”, thotë Bibe.

Në një video tjetër, gazetari sqaron edhe njëherë se ku ndodhet dhe se tanket e shumta janë në pritje të sulmit, ndërsa artileria godet herë pas here.

“Këtu ndodhen ushtarët izraelitë dhe është pika e fundit ku mund të kalojë dikush drejt territorit palestinez dhe Egjiptit. Janë ushtarët të armatosur. Pas nesh, në Kibutz janë qindra ushtarë të tjerë. Tanket janë në pritje të sulmit, ndërsa artileria godet herë pas here pozicionohet e islamikëve të Hamasit”, thotë ai.

Ndërkohë të paktën 1,799 palestinezë janë vrarë në Gaza nga sulmet izraelite.

TCH ka ofruar pamje reale dhe ekskluzive të situatës së luftës, që përfshijnë shtëpi dhe makina të shkatërruara apo përgatitja dhe forcat e armatosura të forcave izraelite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA