“Nuk doja të vdisja e virgjër”/ Vihet në skenë drama bazuar mbi histori të vërtetë

12/10/2023 14:53

Dita Ndërkombëtare e Vajzave ngjiti në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit monodramën “Nuk doja të vdisja e virgjër”.

I bazuar në historinë e vërtetë të një vajze adoleshente që e gjen veten në një karrige me rrota pas një zhytjeje të gabuar në det, shfaqja përcolli emocione të forta te publiku, ndërsa për shkak të mungesës së aksesuesshmërisë të teatrit nuk mundi të ndiqet nga personat me aftësi të kufizuara në Durrës.

Aktorja durrsake Ina Gjonçi tregon emocionet e rolit dhe përballjen për herë të parë me publikun e Durrësit.

“Ndjehem e lumtur dhe kisha një përgjegjësi ndryshe nga të qenit në Durrës. Kisha emocione dhe kureshtjen çfarë energjie do të shkëmbenim dhe simbiozën që do të kishim. (pritet) Teatri ndodh tani, por fillon më vonë. Besoj dhe uroj që njerëzit ta kenë marrë mesazhin dhe ta marrin dhe në vazhdim. Përveç karriges me rrota të kuptohet metafora e karriges me rrota që secili mbart në jetën e vet”, tha aktorja Ina Gjonçi.

Shfaqja nxjerr në pah në një këndvështrim krejt ndryshe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, realitetin e vajzave dhe grave, shëndetin seksual riprodhues, por jo vetëm. Ajo është një ftesë për të diskutuar mbi tema ende tabu, por edhe për të pranuar të gjithë kategoritë sociale si të barabarta mes tyre në gjithçka.

“Shfaqja ka ardhur me një dimension skenik profesional me një trajtim simbolik. Koncepti i hapësirës boshe mbulohet nëpërmjet dinamikës skenike, etydeve për t’i dhënë këto mesazhe jo vetëm për kategori, por për njeriun në sensin universal.Është titull simbolik, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për virgjërinë në aspektin seksual”, tha regjisori Gjergj Mena.

“Nuk mund të ketë emancipim, barazi dhe luftë të garantuar kundër dhunës me bazë gjinore nëse nuk do të kemi të përfshirë djemtë dhe burrat. Gëzohem që në sallë ka të pranishëm djem e burra për t’u bërë pjesë e kauzës, pasi është një partneritet i domosdoshëm për zhvillimin”, tha Elsona Agolli, UNFPA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA