Sulmi në Banjskë, Musliu: Serbia paraqet rrezik për sigurinë e Kosovës

11/10/2023 13:01

Instituti për Studime të Luftës Hibride Octopus prezantoi analizën për sulmin terrorist serb në Banjskë, në të cilën u renditën disa fakte dhe argumente se si shkoi situata deri tek sulmi i 24 shtatorit, duke përfshirë edhe historikun e Serbisë që nga zanafilla e formimit të saj si shtet.

Drejtori i institutit Octopus, Agim Musliu, tha se Serbia nuk ka identitet dhe stabilitet politik, derisa shtoi se lidhja e pushtetit me krimin është e pandarë.

Musliu tha se plani për sulmin terrorist të 24 shtatorit është përgatitur në mënyrën më të sofistikuar, sa i përket armatosjes dhe pajisjeve. Ai theksoi se në qendrën e ushtrisë serbe urdhërdhënësi është Aleksandër Vuçiç, duke shtuar se këta njerëz kanë marrë pjesë në luftë në Ish-Jugosllavi, por që janë në pushtet edhe sot.

Musliu theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç ka përgatitur vazhdimisht terrenin propagandistik, derisa shtoi se Serbia paraqet rrezik permanent për sigurinë e Kosovës.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se akti i agresionit në Banjskë ka ngritur brengën jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Sipas tij, ky lloj agresioni mund ta zhbëjë të gjithë progresin që Kosova dhe Serbia e kanë bërë të kaluarën, përmes dialogut.

Bislimi shtoi se raporti mes Kosovës dhe Serbisë edhe pas 11 viteve të dialogut, nuk ka shkuar drejt përafrimit, por se ka një ftohje më të madhe’.

Ai theksoi se fuqia që kanë aleatët shtetërorë për të ofruar informata të gabueshme apo gjysmë të vërteta, që sipas tij, përbën thelbin kryesor të luftës hibride, po e keqpërdor Serbia.

Ndërkaq, hulumtuesja e lartë në Ocotopus, Arta Haxhixhemajli prezantoi një pjesë nga analiza, duke treguar për prapavijën e sulmit terrorist në Basnjë të Zveçanit. Ajo foli për Listën Serbska dhe ndikimin e saj në veri.

Haxhixhemajli foli për Milan Rajdojçiç, duke e cilësuar si personin kryesor për vrasjen e Oliver Ovanoviç. Ajo shtoi se Radojçiç ka pasur mbështetjen e Vuçiçit për të marrë nën kontroll veriun.

Derisa foli për Radojçiç, Haxhixhemjali përmendi edhe rastin “Brezovica”, duke thënë se ky i fundit u bë subjekt i hetimit, ku që ‘nga fillimi i vitit 2022 Radojçiç nuk do të bënte më asnjë aktivitet në territorin e Republikës së Kosovës’.

Hulumtuesi i lartë në Octopus, Taulant Elshani foli për renditjen e argumenteve pse Serbia vazhdon të jetë rreziku më i madh për sigurinë kombëtarë të Republikës së Kosovës, ndërsa përmendi barrikadat e datës 31 korrik dhe 10 dhjetor të vitit 2022.

Përpos këtyre, Elshani përmendi sulmet ndaj KFOR-it të datës 25 maj të vitit 2023, dhe sulmit ndaj Policisë dhe gazetarëve e qytetarëve.

Ai tha se Vuçiç në forma të ndryshme ka udhëzuar Milan Radojçiç dhe strukturat ilegale serbe për te mobilizuar persona të rinj në katër komunat në veri, sipas tij për të formuar grupin terrorist që u përfshi në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA