Inside Story ka transmetuar disa raste ku gabimet në klinikat publike dhe ato private u kanë kushtuar rëndë pacientëve.
Një rast i tmerrshëm është ai i Blerta Xhaferraj, një paciente e cila pasi i është nënshtruar një operacioni, mjeku i ka harruar në bark një fasho të plotë me gjatësi të konsiderueshme.
Referuar aktit të ekspertimit të realizuar nga mjeku ligjor, gafa e rëndë në spitalin privat mund t’i kishte kushtuar jetën pacientes. Kjo, zbulohet edhe nga diskutimi i tij në sallën e gjyqit, që ne kemi mundur ta sigurojmë në versionin audio.
“Në rastin konkret, mrekullia dhe fati që ka ndodhur te kjo paciente ka ndodhur se kjo garzë ka qenë e inkapsuluar. Pra qelbi është futur si në kapsul, se po të kishte qenë ndryshe e dekapsuluar, fenomeni i dëmit në organizëm do ishte i madh, qelbi mund të ishte përhapur në gjithë trupin duke i rrezikuar jetën.”
Pavarësisht këtij konstatimi tronditës, avokatja e spitalit privat në sallën e gjyqit mbrohet duke pretenduar se shqetësimet e pacientes nuk kanë ardhur nga mbetja e fashës brenda në bark.
Pretendim i saj është rrëzuar nga akti i ekspertimit, por edhe nëse do të ishte e vërtetë, kjo nuk mund të justifikojë atë që është fakt: lënia e një garze të madhe në trupin e pacientes.
“Paditësja, pas ndërhyrjes që ka bërë, ka shkuar pas 3 muajsh për kontroll, nëse s’do ishte shqetësime, atëherë po të mos e kishte bërë mund ta kishte dhe sot garzën. Këtë kam pretenduar nuk kam pretenduar se mund të absorbohej, aty ka një gabim njerëzor.”
Kirurgu i ka ofruar pacientes realizimin e ndërhyrjes për heqjen e garzës por Blerta Xhaferraj, kishte humbur besimin dhe vendosi të realizojë operacionin në QSUT.
Top Channel