Keqinformimi është përhapur në platformën e mediave sociale X të Elon Musk për sulmin e befasishëm të militantëve të Hamasit në Izrael, me përdorues që ndajnë pretendime të rreme dhe mashtruese për konfliktin.

Përdorues të shumtë gjatë fundjavës shpërndanë një njoftim të rremë për lajmet e Shtëpisë së Bardhë duke pretenduar në mënyrë të rreme se SHBA-ja po i dërgonte miliarda dollarë ndihmë të reja Izraelit si përgjigje. Llogaritë në X me qindra mijëra ndjekës në total e përhapën shpejt njoftimin për shtyp të Shtëpisë së Bardhë pasi u shfaq në internet të shtunën. Ndikuesi i mediave sociale, Jackson Hinkle, i cili ishte në mesin e atyre që ndanë publikimin e rremë, pretendoi se ishte një shuplakë në fytyrë për Ukrainën, e cila i është lutur Uashingtonit për më shumë para për t’u mbrojtur nga Rusia.

Vetë Musk shtoi kaosin e informacionit të dielën duke rekomanduar përdoruesit e X të ndjekin konfliktin Izrael-Hamas nga një llogari e njohur për përhapjen e dezinformatave, përfshirë edhe një raport të rremë në fillim të këtij viti për një shpërthim në Pentagon.

Musk dhe Hinkle më vonë fshinë postimet e tyre. Musk më vonë postoi : “Si gjithmonë, ju lutemi përpiquni të qëndroni sa më afër të vërtetës që të jetë e mundur, edhe për gjërat që nuk ju pëlqejnë.”

Diku tjetër në X (i njohur më parë si Twitter), një llogari që imitonte Jerusalem Post ndau një raport fals se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte shtruar në spital. (Llogaria u pezullua më vonë.)

CNN ka kërkuar koment nga Musk dhe X mbi postimet që lidhen me konfliktin Izrael-Gaza. Një mori videosh dhe postimesh dezinformuese u bënë virale në platformë gjatë fundjavës.

Një video që supozohet se tregonte gjeneralët izraelitë pasi u kapën nga luftëtarë të Hamasit, u pa më shumë se 1.7 milionë herë deri të hënën. Megjithatë, në të vërtetë videoja tregon ndalimin e separatistëve në Azerbajxhan.

Një tjetër postim i parë më shumë se 500,000 herë në X, supozohej se tregomte rrëzimin e një aeroplani me hashtagun #PalestineUnderAttack. Videoja është në fakt një klip nga video loja Arma 3, siç u vu re më vonë në një “shënim të komunitetit” bashkangjitur postimit.

Shënimet e komunitetit lejojnë përdoruesit në X të kontrollojnë faktet e postimeve të rreme në platformë. E ndërsa shënimet iu bashkëngjitën të dyja këtyre postimeve të rreme, ato shpesh vijnë pasi një postim i rremë është parë mijëra, ose në disa raste miliona herë.

 

Top Channel