“Në kuadër të dashurisë”/ Mes emocioneve të tapetit të kuq dhe magjisë së ekranit të madh u mbajt premiera e filmit në Pallatin e Kongreseve

09/10/2023 23:11

Premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, i pari prodhim i Top Channel Films, u shfaq në pallatin e Kongreseve mbrëmjen e të hënës.

Filmi me protagonist kryesor, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocioneve të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq, aty ku yjet e kësaj premiere parakaluan njëri pas tjetrit, ndërsa bënë edhe fotografi me fansat e tyre.
E para që parakaloi në tapet ishte Sara Hoxha e cila në këtë komedi luan rolin e Arias, një surpizë duhet thënë e këtij filmi me interpretimin e saj.

“Kur kamerat janë aty ti nuk je vetvetja. Më e vështirë ishte të kuptoje çfarë kërkonte regjisori, por unë arrita ta bëja”, tha ajo.

E më pas pjesa tjetër e aktorëve.

Dy aktorët protagonist të kësaj premiere ishin ata që mbyllën këtë pritje madhështore.

Fillimisht ajo që parakaloi në tapetin e kuq ishte Olta Gixhari, e cila theksoi se me këtë prodhim Top Channel ka nisur një etapë të re.

“Ka nisur një etapë e re për ne dhe për Top Channel. E gjitha kjo që po ndodh sot është madhështore. Çfarë ka Hollywood më shumë se kaq. Presim që një aktor ta shijojë filmin”, tha ajo.

I fundit por jo më pak i rëndësishmi ishte Luiz Ejlli. Ai nënvizoi se ky film i përket publikut.

“Falë jush është këtu. Ata thonë është filmi i Luizit dhe i Oltës por ai është filmi juaj”, tha Luizi.

Dhe këtu ai ka të drejtë, sepse nuk ishte vetëm filmi i tyre. Ishte  filmi i Ndriçim Xhepës, Zamira Kitës, Luan Jahas, Ylber Bardhit, Olta Dakut, Sara Hoxhës, Roerd Toçes, Klodiana Kecos, Dea Mishelit, Besmir Bitrakut etj.

Ndaj publiku nuk duhet ta humbasë  filmin “Në kuadër të dashurisë” mbi të gjitha, për larminë e karaktereve, për skenarin, humorin fin, satirën dhe sidomos për artin e komedisë.

Ndërkohë projekte të tjera pritet të realizohen nga Top Channel.

Filmi do të vazhdojë të shfaqet edhe në datat 10 dhe 11 tetor dhe biletat mund ti gjeni pranë Pallatit të Kongreseve por edhe në films.top-channel.tv

Top Channel