Pas verës që shënoi rekord të numrit të pushuesve në qytetin liqenor të Pogradecit edhe vjeshta dhe dimri duken premtues.  

448 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan Pogradecin gjatë 3 muajve të verës, ndërsa moti i ngrohtë ka bërë që ende qyteti të ketë vizitorë. Pushuesit e zgjedhin kryesisht në fundjavë ndërsa gjatë ditëve nuk mungojnë vizitorët ditorë që vijnë si pjesë e tureve turistike liqenore nga Ohri. Për ta bërë sa më të frekuentuar edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, bashkia e Pogradecit ka menduar të organizojë një sërë aktivitetesh të ndryshme artistike dhe kulturore, që krahas bukurive të natyrës e bëjnë më të pasur ofertën turistike të qytetit.

“Thuhet që vera ka mbaruar por në fakt vera nuk ka mbaruar. Pogradeci vazhdon të ketë të njëjtin ritëm me turistët, temperaturat e larta kanë favorizuar që plazhi të vazhdojë ende. Vetë fakti që ka një prenotim dhe një prurje të madhe të turistëve përsëri në Pogradec, tregon që janë të interesuar me plazhin, me bukurinë e Pogradecit, por edhe me mjaft aktivitete dhe larmi programesh artistike dhe kulturore, të cilat bashkia ka hartuar për periudhën shtator – dhjetor. Kemi një sërë ekspozitash, më pas Festa e Verës, e cila është pika kulmore e sezonit të vjeshtës në datën 20-21 tetor do të vazhdojmë me shumë aktivitete edhe në muajt nëntor dhe dhjetor. Mendoj se gjithkush që do të vijë jo vetëm në fundjavë do të gjejë një Pogradec të larmishëm në aktivitete por edhe mikpritës në hotelet dhe kulinarinë e tyre. Në muajin shtator kemi pasur shumë turiatë të huaj kjo edhe për shkak të turit turistik që vjen nga Ohri i cili bën një cikël përreth liqenit Ohër – Strugë- Pogradec dhe kemi pothuajse çdo ditë grupe që vizitojnë Pogradecin, shijojnë koranin dhe vazhdojnë më tej në itinerarin e tyre të përcaktuar. Ka rifilluar edhe turizmi kosovar gjatë fundjavave por edhe turistët e vendit, të cilit janë fansat e qytetit edhe për muajt shtator – tetor besoj”, shprehet zëvendëskryetarja e bashkisë Pogradec, Entela Gusho.

Prej fillimit të këtij viti, Pogradecin e kanë vizituar rreth 600 mijë turistë vendas dhe të huaj. Pjesa më e madhe e tyre janë vendasit të cilët pushuan buzë liqenit gjatë sezonit të verës dhe vizituan atraksionet natyrore përgjatë liqenit të Ohrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA