Shtetet e Bashkuara e kritikuan ashpër njoftimin se Rusia mund të tërhiqet nga Traktati i Ndalimit të Provave Bërthamore.
“Një vendim i tillë nga një vend firmëtar rrezikon pa nevojë normat globale kundër testimeve atomike”, u shpreh një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Kryetari i dhomës së ulet të parlamentit rus deklaroi të premten se ligjvënësit atje do të shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes nga Traktati.
Deklarata e ligvënësit Vyacheslav Volodin erdhi pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se Moska mund të konsiderojë tërheqjen nga traktati ndërkombëtar, pasi Shtetet e Bashkuara kurrë nuk e ratifikuan atë.
“Kjo është në përputhje me interesat tona kombëtare”, tha ligjvënësi Volodin. “Dhe kjo do të vijë si një përgjigje e duhur ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat ende nuk e kanë ratifikuar traktatin.” Traktati i vitit 1996, që ndalon “të gjitha shpërthimet bërthamore ose provat e tjera bërthamore” në të gjithë botën është nënshkruar nga 187 vende, por Shtetet e Bashkuara dhe shtatë vende të tjera nuk e kanë ratifikuar atë.
“Do të ishte shqetësuese dhe për të ardhur keq nëse një vend nënshkrues do të shqyrtonte tërheqjen nga Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Provave Bërthamore”, tha në një deklaratë Robert Floyd, kryetar i komisionit që mbështet zbatimin traktatit. Ka shqetësime të përhapura se Rusia mund të rifillojë provat bërthamore në përpjekje për të nxitur Perëndimin të heqë dorë nga vazhdimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Top Channel