Pas sulmeve masive me raketa kundër Izraelit ka reaguar Gjermania. Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka dënuar sulmet e Hamasit radikal-islamik kundër Izraelit. “Lajme tmerruese na mbërrijnë sot nga #Israel. Goditjet me raketa nga Gaza dhe shkallëzimi i dhunës na trondisin thellësisht.
Gjermania i dënon këto sulme të Hamasit dhe qëndron në krah të Izraelit”, shkroi Scholz në platformën X. Edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka dënuar sulmin ashpër. “Unë i dënoj ashpërsisht sulmet terroriste nga Gaza mbi Izraelin”, shkroi Baerbock në platformën X, ish-twitter. “Dhuna dhe raketat kundër të pafajshmëve duhet të ndalin menjëherë. Izraeli ka solidaritetin tonë të plotë dhe të garantuar nga e drejta ndërkombëtare që të mbrohet kundër terrorit”, ka theksuar Baerbock.
Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka dënuar sulmet e zgjeruara të Hamasit kundër Izraelit ka shkruar: “I dënoj fuqishëm sulmet terroriste që po zhvillohen kundër Izraelit. Po ashtu reagime vijnë Bashkimi Europian, që dënoi sulmet e Hamasit radikal-islamik. BE ka shprehur solidaritetin me Izraelin. “Unë i dënoj ashpërsisht sulmet e kryera nga terroristët e Hamasit kundër Izraelit. Bëhet fjalë për terrorizëm në formën e tij më të shëmtuar”, shkroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në platformën X. Kurse i ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell deklaroi se “BE shpreh solidaritetin me Izraelin në këtë kohë të vështirë”. Edhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel i dënoi sulmet.
Britania e Madhe po ashtu ka dënuar “qartësisht” sulmin kundër Izraelit.
Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly bëri fjalë për “sulme të tmershme” të Hamasit ndaj civilëve izraelitë.Reagime ka pasur edhe nga Ukraina, ku thuhet se Ukraina mbeshtet “të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”.
Edhe SHBA e ka dënuar sulmin me raketa dhe ka kërkuar “nga të gjitha palët që të heqin dorë nga dhuna”. “Terrori dhe dhuna” nuk kanë qenë asnjëherë zgjidhje, shkroi Zyra Amerikane për Çështjet Palestineze në platformën X, ish-Twitter./ DW
Top Channel