Pas hetimeve të kryera nga autoritetet vendase, kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Nermin Nikshiç e mohoi që armët e përdorura nga terroristët serbë në Banjskë, në 24 shtator të jenë blerë në Tuzla.

Nikshiç i cilësoi pretendimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe figurave të tjera në Beograd si të pavërteta dhe si përpjekje për të gjetur alibi përballë një presioni tejet të madh nga ndërkombëtarët.

“Unë e kuptoj që Serbia në ditët e fundit ka qenë e ekspozuar ndaj një trysnie shumë të fortë të shteteve demokratike, por kjo nuk do të thotë se ata mund të kërkojnë alibi për veprimet e tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga kjo anë e kufirit për furnizimin me armë, trajnimin e formacioneve paraushtarake dhe grupeve të qytetarëve serbë dhe zyrtarëve lokalë që shkaktuan konfliktin e armatosur në veri të Kosovës”, deklaroi Nikshiç.

Ai theksoi se armët e gjetura nga policia e Kosovës nuk janë prodhuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se numrat serialë të predhave të mortajave dhe llojeve të tjera të municionit i përkasin fabrikave serbe të Sllobodës dhe Krushikut.

“Shërbimet e inteligjencës së Serbisë dhe udhëheqja e saj politike, për fat të keq, kanë hartuar një plan për të transferuar një pjesë të përgjegjësisë në Bosnjë-Hercegovinë për sulmin terrorist në vendin fqinj. Duke pasur parasysh situatën politike në vendin tonë, ata ndoshta kanë vlerësuar se nuk do të ketë reagime, të shpejta dhe të sakta të bazuara në fakte. Na kanë nënvlerësuar sërish”, shtoi Nikshiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA