Sipas njoftimit të ri të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, është bërë me dije axhenda e vizitës së kryediplomatit grek Giorgos Gerapetritis, në kuadrin e pjesëmarrjes së tij të premten, më 6 tetor, në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, presidencën e radhës të të cilit mban Shqipëria.
Gerapetritis do të takohet sot me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z.Anastasios. Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, ai do të marrë fjalën në seancën e dytë të samitit.
Pas kësaj, z. Gerapetritis do të ketë kontakte me përfaqësues të pakicës kombëtare greke në Shqipëri dhe më pas do të vizitojë Ambasadën e Greqisë në Tiranë.
Gjithashtu do të vijojë një takim dypalësh me homologun e tij shqiptar, Igli Hasani, ndërsa do të pritet edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Top Channel