Liderët europianë shpresonin në organizimin e një takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Europian që mbahet sot në Granada të Spanjës.
Por kryetarja e shtetit Kosovar ua preu shkurt. Osmani deklaroi se nuk ka arsye për ta takuar Vuçiçin përpara se të vendosen ndaj tij sanksione për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.
“Nuk kam përse takohem me Vuçiçin pa u hedhur ky hap. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka qenë komenti i saj, ndërsa shtoi se shpreson që sanksioneve kundër Serbisë t’i bashkohet edhe Spanja, e cila vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Pak ditë më parë, disa eurodeputetë kërkuan në Parlamentin Europian, vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të sulmit në Banjskë. Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier u shpreh së fundi se SHBA-ja është duke tentuar të kuptojë më shumë për rastin, para se të merret vendimi për sanksionet.
“Por është qëndrimi prerë i administratës amerikane që përgjegjësit për këtë krim, si për vrasjen e zyrtarit policor, për përdorimin e forcës për ta kontrolluar një objekt fetar, ashtu dhe për përfshirje në shkëmbim të zjarrit me policinë legjitime dhe shërbimet e sigurisë së Kosovës, duhet të konsiderohen përgjegjës. Ne do të jemi të përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces, për të garantuar një gjë të tillë,” shtoi ai.
Samiti i tretë i Komunitetit Politik Europian do të ketë në fokus të tij edhe zgjerimin e Bashkimit Europian. Pjesëmarrësit e takimit do të diskutojnë se si ta bëjmë Europën më elastike, më të begatë dhe gjeostrategjikisht të rëndësishme, njoftoi Këshilli i BE-së.
Top Channel