Deputetja britanike, Alicia Kearns reagoi ashpër ndaj lirimit të Milan Radojçiçit, duke kujtuar sesi Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga BE-ja, por ndaj Serbisë nga ana tjetër, ndërkombëtarët nuk marrin masa tha ajo.

“Radojçiç mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka masa për Beogradin nga Britania e Madhe, SHBA, BE, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, apo rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e Bashkimit Europian. Çfarë është kjo, diplomaci parandaluese?”, ka shkruar ajo në platformën “X”.

Një gjykatë në Beograd liroi të mërkurën nga paraburgimi ish nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiç, një ditë pas ndalimit të tij lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës. Në një njoftim të Gjykatës së Lartë në Beograd thuhet se atij “i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të hyjë në territorin e Kosovës”.

Po ashtu gjykata vendosi që Radojçiç të paraqitet në polici dy herë në muaj dhe i është konfiskuar përkohësisht pasaporta e Serbisë. Ish-nënkryetari i Listës Serbe mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë.

Ndërkohë, sipas prokurorisë në Beograd, ai akuzohet se ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese të fuqisë së madhe shkatërruese në Tuzlla të Bosnjës dhe Hercegovinës nga janari i viti 2023 deri më 24 shtator, të cilat i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit dhe të cilat më pas i transportonte dhe ruante në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, duke i fshehur në ndërtesa të braktisura dhe në pyje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA