Rreth 50 liderë evropianë pritet të takohen sot në Granadë të Spanjës, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe tensioneve në kontinent.
Duke folur për gjendjen në veri të Kosovës, kancelari gjerman Olaf Sholz, u shpreh se për Berlinin është shumë e rëndësishme që tensioni aktual të mos përshkallëzohet më tej. Për këtë, deklaroi ai, shtetet si Gjermania, Franca dhe Italia janë të përkushtuar që ta gjejnë një zgjidhje, duke iu referuar dialogut Kosovë – Serbi.
“Për mua është shumë e rëndësishme që kur vjen fjala tek Serbia dhe Kosova, situata të mos përkeqësohet më tej. Duhet kërkuar një zgjidhje paqësore, dhe ne për këtë jemi shumë të përkushtuar. Gjermania, Franca dhe Italia janë veçanërisht aktive në këtë drejtim”, tha Olaf Sholz.
Më herët, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane e quajti tërheqjen e trupave të Serbisë nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm”, por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të shtensionuar marrëdhëniet me Kosovën. Në samitin e Spanjës merr pjesë dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Raportet në media tregojnë se vendet evropiane do të përpiqen që të organizojnë një takim mes saj dhe kreut të shtetit serb, Aleksandër Vuçiç. Samiti i tretë i Komunitetit Politik Europian do të ketë në fokus të tij edhe zgjerimin e Bashkimit Europian. Pjesëmarrësit e takimit do të diskutojnë se si ta bëjmë Europën më elastike, më të begatë dhe gjeostrategjikisht të rëndësishme, njoftoi Këshilli i BE-së.
Top Channel