Bërnjaku, një prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, është hapur të mërkurën për qarkullim, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kjo pikë kufitare, bashkë me Jarinjën, janë mbyllur për qarkullim më 24 shtator, pas sulmeve të armatosura ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Elshani i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pika kufitare në Jarinjë vazhdon të jetë e mbyllur, për shkak të kërkimeve në terren në atë rajon.

“Ende nuk ka ardhur urdhri për hapje për Jarinjë”, ka thënë mes tjerash Elshani.

Kosova ka bërë fajtore Serbinë për sulmin në Banjskë, të cilin e ka konsideruar “akt terrorist”.

Beogradi, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se serbët lokalë në Kosovë, “janë rebeluar kundër terrorit të Kurtit”, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Më 29 shtator, Millan Radojçiç e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë.

Të njëjtën ditë, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogadit zyrtar. Radojçiç është marrë në paraburgim për 48 orë nga autoritetet në Serbi, më 3 tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA