Ministria e Arsimit ka rihapur për herë të fundit aplikimet për në universitet nëpërmjet plotësimit të formularit A1Z.
Procesi ka nisur në orën 9:00 të 4 tetorit dhe përfundoi në orën 14:00. Kryesisht kanë aplikuar një grup prej dhjetëra maturantësh që vijnë nga jashtë vendit, me diplomë të huaj të shkollës së mesme që patën vonesa me njehsimin e dokumentacionit shkollor, apo ata maturantë të viteve të kaluara që nuk kanë mundur të aplikojnë në dy raundet e para.
Në po të njëjtën ditë nisi edhe faza e lirë e regjistrimeve pranë universiteteve për të gjithë maturantët të cilët kishin aplikuar në dy raundet e para por që nuk arritën të fitojnë asnjë degë, tani ju është dhënë mundësia të shkojnë vetë direkt të universiteti për të kryer regjistrimin në fakultetet ku ka vende bosh.
‘Unë doja financë ose administrim biznesi, por nuk i kapa. Megjithatë ka mundësi të tjera, ja po regjistrohem te Gjuhët e Huaja për anglisht gjermanisht, se ka mundësi punësimi si përkthyese”, thotë një studente.
Regjistrimet për maturantët e fundit do të zgjasin deri në 18 tetor, edhe pse viti i ri akademik ka nisur që të hënën.
“Më duket pak e padrejtë që ata të regjistrohen pa garë por le t’iu jepet mundësi të gjithëve”, shprehet një tjetër.
Ulja e numrit të studentëve ka ndikuar edhe në rënien e konkurrencës mes të rinjve për një vend në universitet, për të mbajtur gjallë programe studimi që nuk zgjojnë më interesin e tyre.
Top Channel