Tërmeti “shkund” Napolin, njerëzit tmerrohen: Do të shpërthejë vullkani!

03/10/2023 14:20

Një tërmet i magnitudës 4.2 tronditi rajonin vullkanik të Campi Flegrei në perëndim të Napolit, duke ngjallur panik mes banorëve.

Disa prej tyre postuan në mediat sociale pamje të makinave që goditeshin nga gurët, por frika më e madhe e tyre nuk ishin luhatjet e tokës. Tërmeti vetë nuk shkaktoi të lënduar apo dëme të mëdha, por njerëzit druheshin se ai mund të ishte thjesht preludi i një shpërthimi vullkanik.

Zona përreth vullkanit në Campi Flegrei, që për herë të fundit llogaritet të ketë shpërthyer në 1538, ka qenë skenë e një rritjeje shqetësuese të aktivitetit sizmik ditët e fundit me një sërë lëkundjesh të tokës. Rreth gjysmë milioni njerëz jetojnë në rajonet përreth tij, e të gjitha ata do të ishin në rrezik të madh në rast të një shpërthimi. Tërmeti vjen në një kohë kur në muajin qershor, Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës e Vullkanologjisë si dhe Kolegji Universitar i Londrës dolën me pohimet se vullkani po shkonte drejt ‘pikës së riaktivizimit dhe një “situate jashtëzakonisht të rrezikshme’.

Tërmeti i magnitudës 4.2 ishte më i forti që ky rajon ka parë në 40 vjet. Epiqendra e tij ishte në një thellësi prej gati 3 kilometrash, diku mes Napolit dhe Pozzuolit. Ekspertët paralajmërojnë mbi mundësinë që në një të ardhme të afërt, në zonë të ketë tërmete të tjera, edhe më të fuqishme se kaq.

Top Channel