Gjuetia e pandërprerë e breshkave të rralla të detit përgjatë bregut të Pakistanit po shton kërcënimin për mbijetesën e këtyre specieve.
Qindra akuariume të vegjël dhe të mëdhenj po blejnë dhe shesin hapur breshkat e sapo çelura nëpër qytetin port të Karaçit, duke e kthyer zonën në qendrën e kësaj tregtie të paligjshme. Zyrtarët e kafshëve të egra bastisën një akuarium javën e kaluar në Burns Road, një lagje e vjetër në distriktin jugor të Karaçit, dhe kapën breshka të vogla që ishin në shitje.
Megjithatë, sipas aktivistëve të kafshëve të egra, ka shumë akuariume të tjerë, tregje të improvizuara të kafshëve dhe shitës të përfshirë në tregtinë e paligjshme në të gjithë metropolin.
“Breshkat e detit tashmë përballen me një mori rreziqesh gjatë gjithë jetës së tyre, nga grabitqarët tek aktivitetet njerëzore si ndotja, goditjet me varka, mbeturinat detare dhe peshkimi. Tani trendi në rritje i gjuetisë pa leje po shton një mori kërcënimesh”- tha Mahera Omar, një aktiviste e kafshëve të egra me bazë në Karaçi për Anadolu.
“Breshkat e detit janë krijesa të detit. Ai është vendi ku duhet të jenë, çka është edhe një arsye më shumë për të mbrojtur habitatet e tyre të foleve bregdetare dhe për të bërë gjithçka mundemi për të luftuar këtë kërcënim.”
Breshkat vendosin vezët e tyre në plazhe midis tetorit dhe shkurtit, të cilat çelin në rreth 60 ditë. Në Karaçi, kryeqyteti tregtar i Pakistanit, vendet e tyre të preferuara të folezimit kanë qenë dy plazhet kryesore, Gjiri i Hawke’s dhe Sandspit.
Një anë veçanërisht shqetësuese e tregtisë së paligjshme është se një numër i madh breshkash të vogla nuk mund të mbijetojnë në robëri. Kjo pasi breshkat e ujërave të ëmbla ndryshojnë nga ato të ujërave të kripura, sqaron Naveed Soomro, një zyrtar me bazë në Karaçi i organizatës globale mjedisore Unioni Ndërkombëtar i Ruajtjes.
“Njerëzit, madje edhe gjuetarët e paligjshëm, nuk e dinë ndryshimin. Breshkat detare kanë nevojë për ato kushte specifike detare, të cilat nuk mund t’i keni në akuariume“- tha Soomro për Anadolu.
Si rezultat, shtoi ai, breshkat detare mbijetojnë vetëm një javë ose më shumë pasi janë gjuajtur pa leje, ndërsa breshkat e ujërave të ëmbla kanë një shkallë shumë më të lartë mbijetese.
Ashfaq Ali Memon, kreu i Qelisë së Ruajtjes së Breshkave Detare të departamentit provincial të kafshëve të egra, miratoi pikëpamjen e Soomro, duke thënë se mungesa e ndërgjegjësimit për dallimet e dy specieve është një kontribuues kryesor në shifrat e larta të vdekshmërisë.
Ai, megjithatë, pohoi se autoritetet kanë marrë “masa efektive” kundër gjuetisë pa leje, gjë që e ka ulur atë në një “masë të madhe” vitet e fundit.
‘Gjuetia e vezëve është më e përhapur’
Blerësit e breshkave të vogla variojnë nga qytetarët e thjeshtë për qëllime thjesht rekreative deri tek mjekët e pakualifikuar që përdorin organet apo pjesë të tyre trupore për të përgatitur të ashtuquajturat ilaçe afrodiziake.
Soomro tha se gjuetia e vezëve është një fenomen më i përhapur në krahasim me atë të breshkave të sapo çelura, veçanërisht për shkak se vezët konsiderohen si afrodiziak dhe përdoren gjerësisht, deri te mjekët e pakualifikuar shëndetësorë për të bërë ilaçe.
“Gjuetia e vezëve ka rezultuar të jetë më katastrofike për këtë krijesë të varfër për shkak të këtij koncepti të rremë,” tha ai.
Memon pretendoi se gjuetia pa leje e breshkave të detit dhe vezëve të tyre nuk po ndodh në shkallë tregtare. Ai, megjithatë, pranoi se tregtia e paligjshme e breshkave të sapo çelura dhe vezëve raportohet ende nga brigjet e provincës jugperëndimore të Balochistanit.
“Ne kemi një zonë shumë të kufizuar, rreth 5 milje, për të mbrojtur këtë specie në Karaçi, dhe ne po e bëjmë këtë në mënyrë efektive,” tha ai.
Sipas Memon, aktivitetet njerëzore janë faktori kryesor që “fshihet” pas zvogëlimit të popullsisë së specieve të rralla, në vend të gjuetisë pa leje.
“Stafi ynë mbledh me përpikëri vezët dhe i zhvendos në tre çerdhe për periudhën e plotë 60-ditore”- tha ai, duke shtuar se breshkat e porsalindura lëshohen më pas në det.
Zhdukja e bazave të foleve
Pakistani po humbet me shpejtësi vendet tradicionale të foleve për breshkat e detit, duke paraqitur një tjetër kërcënim për speciet e rrezikuara. Vendi i Azisë Jugore ka humbur 25-30% të vendeve të foleve për breshkat gjatë dekadës së fundit për shkak të rritjes së ndotjes së ujit, hedhjes së mbeturinave në plazhe dhe peshkimit të paligjshëm, sipas Adnan Hamid, një ekspert i lartë i jetës së egër.
Ai tha se plazhet e Sandspit dhe Hawke’s Bay janë ndër 11 vendet më të mëdha të foleve për breshkat e gjelbra në mbarë botën, por janë shkatërruar kryesisht për shkak të kombinimit të faktorëve shkatërrues. Memon, zyrtari i departamentit të kafshëve të egra, tha se ndërhyrja e pandërprerë e njeriut, rritja e ndotjes dhe hedhja e “të gjitha mbeturinave të Karaçit” në Detin Arabik ka prekur rreth 70% të të gjithë habitateve të breshkave në qytet.
Mbetjet e ngurta që gjenden në plazhe përfshijnë qese plastike dhe pelena, të cilat janë “vrasëse” për breshkat, tha ai.
Deri në vitin 2000, kishte vetëm disa kasolle përgjatë vijës bregdetare prej 5 miljesh, vendi kryesor i foleve për breshkat e detit, por tani ato numërohen në qindra. Deri në fund të viteve 1990, tha Memon, të pesë llojet e breshkave të ujërave të kripura – ulliri, breshka jeshile, kurriz lëkure, koka kareti dhe skifteri – u gjetën duke folezuar në plazhet e Pakistanit.
“Sot, megjithatë, ne kemi vetëm breshka të gjelbra për shkak të shkatërrimit të terreneve të foleve.”
Shifra të ndryshme të popullsisë
Megjithëse ekspertët e kafshëve të egra pajtohen se rritja e aktiviteteve njerëzore në plazhe përbën një kërcënim potencial për breshkat detare, ata nuk bien dakord kur bie fjala për rritjen apo zvogëlimin e popullatës së tyre. Sipas Memon, ka pasur një rritje “të vogël” të numrit të tyre gjatë viteve të fundit për shkak të “mbrojtjes më të mirë” të vendeve të folezimit.
“Breshkat e gjelbra kanë nevojë për rërë të butë për të hedhur vezët e tyre. Ne kemi marrë masa efektive për të mbrojtur zonat me rërë të butë të dy plazheve, duke rezultuar në më shumë pjellje dhe grumbullim të vezëve”, tha ai.
“Përkundrazi, habitatet e folezimit të breshkave të ullirit, të cilat janë relativisht më të vogla në përmasa në krahasim me breshkat e gjelbra, janë shkatërruar për shkak të aktiviteteve ndërtimore në rërë të fortë, gjë që është një kërkesë për atë specie.”
Zyrtari i IUCN, Soomro tha se numri i breshkave jeshile është ulur vitet e fundit, por “jo në një masë të madhe”.
Në të kundërt, Muhammad Moazzam Khan, këshilltar teknik për peshkimin detar në zyrën Karaçi të WWF-Pakistan, beson se numrat janë rritur. Sipas tij, në 10 vitet e fundit ka pasur një rritje prej 5% të popullsisë së breshkave jeshile. Khan tha se popullsia në det të hapur e breshkave të ullirit është gjithashtu në rritje, ndërsa nuk ka të dhëna thelbësore për tre speciet e tjera.
“Breshkat e detit luajnë një rol jetik në ekosistemin detar. Prania e tyre mundëson çiklizmin e lëndëve ushqyese, modifikimin e habitatit dhe rregullimin e biodiversitetit”- tha Omar, aktivisti i kafshëve të egra.
“Heqja e tyre shkakton një kaskadë trofike që ndikon në mbijetesën e specieve të tjera në mjedisin e tyre. Pra, ne duhet ti lëmë gjallesat e egra të jetojnë në natyrë, sepse e ardhmja jonë varet nga këto ekosisteme.”
Top Channel