Kurti: Shumica e sulmuesve në Banjskë, pjesëtarë të Mbrojtjes Civile ose Brigadës Veriore

03/10/2023 10:35

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se informatat preliminare të autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë ose pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile ose të Brigadës Veriore, të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në qershor të këtij viti.

Të dy këto grupime të shpallur terroristë nga Prishtina qershorin e këtij viti. Kurti  mëshoi idesë se siguria e Kosovës dhe ndëshkimi i sulmuesve të policisë, janë çështjet kyçe të momentit.

“Më lejoni të kujtoj se më 29 qershor i kemi shpallur dy organizata terroriste. ‘Mbrojtja civile’ dhe ‘Brigada veriore’ si organizata terroriste që veprojnë në territorin e Kosovës, ndaj edhe nëse diçka tregojnë informatat preliminare, shumica e të përfshirëve në këtë sulm kriminal që rezultoi me vrasjen e rreshterit policor, është se ata ishin pjesëtarë ose të ‘Mbrojtjes civile’ ose të Brigadës Veriore’, ose të të dyjave”, u shpreh Kurti.

Dy grupimet në fjalë numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb. Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë, dhe nëse ai vazhdon pavarësisht kësaj, atëherë kjo bart në vetvete pasoja të rënda ligjore. Sipas REL, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë. Një prej tyre është edhe Mbrojtja Civile, e cila është shfaqur publikisht në vitin 2011.

Edhe pse një organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shpërbëjë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Shpërbërja e Mbrojtjes Civile është parashikuar në një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA